Botë
Luftime në lindje të Ukrainës, Dombasi gati të bie në duart e rusëve
09.06.2022 17:51
Ofensiva ruse për të marrë pjesën lindore të Ukrainës vazhdon...

Ofensiva ruse për të marrë pjesën lindore të Ukrainës vazhdon. Pjesa më e madhe e qytetit lindor të Severodonetskut tani kontrollohet nga rusët, njoftojnë autoritetet lokale. Forcat ukrainase raportuan se beteja të ashpra po zhvillohen në qytetet Severodonets dhe Lysicansk, të cilat konsiderohen si pika të rëndësishme strategjike.
“Rusët po shkatërrojnë gjithçka, ata po qëllojnë tanke dhe artileri në ndërtesat e banimit”,- tha guvernatori i Luhanskut, Sergei Haiday.
Presidenti, Volodymyr Zelensky, pohoi që Severodonetsku “mbetet epiqendra e konfrontimit në Donbas” dhe vendos fatin e të gjithë rajonit.
“Kjo është një betejë shumë e ashpër, shumë e vështirë. Ndoshta një nga më të vështirat gjatë gjithë kësaj lufte. I jam mirënjohës të gjithëve atyre që mbrojnë këtë drejtim. Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset në Severodonjeck.”,- theksoi president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë në Mariupolin e pushtuar dhe të shkatërruar tërësisht nga rusët, kanë filluar punimet për rindërtimin e qytetit, po nga ata që e shkatërruan. Punonjësit rusë të urgjencës heqin rrënojat, autoritetet ukrainase thonë se nga 50 deri në 100 trupa për çdo bllok banesash po nxirren nga rrënojat dhe po transportohen në morgjet e Rusisë. Deri më tani, dy të pestat e ndërtesave janë kontrolluar nga forcat pushtuese.
Kievi dhe Moska vazhdojnë edhe luftën diplomatike rreth problemit me eksportin e grurit nga portet e Ukrainës. Sipas OKB-së, bllokimi i porteve nga ana e Rusisë ka shkaktuar krizë ushqimore në botë, por shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov për këtë fajson Ukrainën dhe pretendon se situata me grurin ukrainas nuk ka asnjë lidhje me krizën e ushqimit.
“Çdo ditë, ushtria ruse shpall korridoret e sigurisë që mund të jenë të lira, pa asnjë kërcënim, të përdorura nga çdo anije me ngarkesë që presin të dërgohen nga portet e Detit të Zi, sigurisht me kusht që ukrainasit të pastrojnë zonën bregdetare, e cili është nën kontrollin e tyre. Nëse pala ukrainase, është e gatshme të dominohet ose të lejojë kalimin e sigurt nëpër fushat e minuara, atëherë ka shpresë se do të zgjidhet problemi.”,- u shpreh shefi i Diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Zelenski ju bëri thirrje vendeve të BE-së që ta përjashtojnë Rusinë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësi. Për momentin, vlerësohet se rreth 22 milion ton grurë janë bllokuar në siloset e Ukrainës.
FARIJE DAUTI BAKIJU
