Ligji për Arsim, debat i ashpër mes BDI-së dhe PDSH-së
Me debat të ashpër mes BDI-së dhe PDSH-së ka filluar diskutimi për amendamentet e propozuara për pakon e propozim-ligjeve të qeverisë për arsim...

Gjatë amendamenteve të propozuara nga PDSH, debat më i madh i cili ka rezultuar edhe me pauzë prej tre orësh, u zhvillua për amendamentin me të cilin kjo parti kërkon që të mbahet llogari për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për Programet Studimore.
“Në këtë amendament, në nenin 9 paragrafi 3, pika zëvendësohet me presje dhe shtohen fjalët, gjatë formimit të komisionit të zbatohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i qytetarëve, që u përkasin të gjitha komuniteteve në Maqedoni dhe në të gjithë pakon e ligjeve të arsimit kemi një problem të madh për shkak se këshillat dhe komisionet e ndryshme nuk do të respektojnë aspak përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSH.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abylaqim Ademi, u shpreh se e pranojnë amendamentin, por me kushtin që të shtohet edhe pjesa ku kandidatët që do të pranohen patjetër t’i plotësojnë kriteret përkatëse.
“Parimisht, amendamenti është i pranueshëm, mirëpo do të duhet të plotësohet edhe me atë që ky amendament, në fakt ky parim, nuk nënkupton edhe mos respektimin e kritereve të parapara me këtë ligj. Që do të thotë duhet eventualisht nëse komisioni pajtohet dhe propozuesi, që të shtohet, që pa u prishur kriteret e paraparë me këtë ligj dhe për ne është i pranueshëm”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Por, deputetët e PDSH-së nuk pranuan që amendamenti i tyre të pranohet me kushte, dhe theksuan se nuk dëshirojnë që pasi ai të pranohet, të jetë inekzisteent. Për pakon e propozim-ndryshimeve ligjore në sferën e arsimit janë dorëzuar 140 amendamente, prej të cilave mbi 90 janë për propozim-ndryshimin e Ligjit për Arsim të Lartë. (Mefail Ismaili, TVM2)
