Botë

Scholz nis vizitën në Ballkan, mision i ri për zgjidhjen e ngërçit RMV-Bullgari

10.06.2022 12:06

Perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kontributi i Gjermanisë....

Perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE  dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, është në krye të agjendës edhe të vizitës së parë të kancelarit Gjerman  Olaf Scholz në rajon, që nis me Kosovën për të vazhduar më pas në Beograd, Shkup e Sofje
 
Veto bullgare ka bllokuar në dy vitet e fundit , proceset e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Vizita e kancelarit gjerman , shihet si përpjekja e fundit për të thyer ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Berlini e sheh zgjerimin e BE-së si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij europiane. Por Scholz nuk është i vetëm në përpjekjet e tij diplomatike. Edhe Parisi po bën presion për një zgjidhje deri në fund të qershorit, kur përfundon presidenca franceze e BE-së. Komisioni Europian dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, nuk duan të lejojnë që mosmarrëveshjet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e kornizës negociuese, por janë të gatshëm të bëjnë kompromis, nëse Shkupi dhe Sofja gjejnë një lloj dakordimi për to.
 
Sa i përket mardhënieve Kosovë Serbi, Scholz e ka bërë të qartë qëndrimin e tij se ato  duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal. Mes tjerash Scholz, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.