Modeli i ri i bllok-tarifave, Sulejmani: Çmime të lira për dy blloqet e para
Minus 13 % ulje të faturave për bllok- tarifën e parë, minus 5 % për tarifën e dytë...

Minus 13 % ulje të faturave për bllok- tarifën e parë, minus 5 % për tarifën e dytë, 6,3 % rritje për tarifën e tretë, dhe rreth 18 % rritje të faturave për bllok tarifën e katërt. Kështu përafërsisht do të duken faturat e energjisë elektrike pas zbatimit të tarifimit të ri të paralajmëruar nga KRRE.
Anëtari i KRRE-së, Lirim Sulejmani në “Intervistën e Javës” në TVM 2, tha se metodologjia e përllogaritjes së faturave do të bëhet në faza duke i ndarë kilovatorët e harxhuara në grupe dhe duke i tarifuar të njëjtat.
“Me simulimet dhe çmimin e tanishëm që kemi bërë, rezulton se 83 % të qytetarëve do të paguajnë fatura më të lira energjetike tek bllok- tarifa e parë dhe të dytë. Që i bie minus 13 për bllok tarifën e parë, minus 5 tek blloku i dytë, pak rritje të çmimit tek blloku i tretë dhe rritje më e madhe do të jetë për bllok-tarifën e katërt, kjo është ajo nëse ky model zbatohet tani me çmimin që kemi aktualisht të rrymës, ndërsa nëse rriten çmimet do të ndryshoj edhe kjo” – u shpreh Anëtari i KRRE-së, Lirim Sulejmani.
Sa do të jetë rritja e çmimit në dimër, Sulejmani: Ende herët për të dhënë detaje
Tarifimi i ri nuk është “shkop magjik” i cili do të zgjidh problemet në sektorin energjetik, mirëpo sado pak do të zbus pasojat e krizës energjetike tek qytetarët, thotë Sulejmani.
Ai pranon se këtë vit në pret një dimër i rendë si në aspektin e mungesës dhe furnizimit të energjisë elektrike poashtu edhe në aspektin e rritjes së çmimit.
Por, për sa % do të rritet çmimi i energjisë elektrike këtë dimër?
“Deri në këto momente nuk mund të tregojmë se për sa % do të rritet çmimi, pasi që na mungojnë dy elemente kryesore të cilat kanë ndikim në vendimin e çmimit, ajo është çmimi që prodhuesi shtetëror, elektranat ESM do t’ua japin furnizuesit universal, i cili sipas informacioneve që kemi tenderimi do të jetë më 24 këtij muaj si dhe çmimin që do të marrin operatorët e sistemit të rrjetit për humbjen në rrjet, këto janë elementet kyçe dhe pastaj vendosëm për rritjen e çmimit. Prandaj themi se tani është herët të japin detaje për çmimin pa mos i pasur këto” – deklaroi Sulejmani.
Për të mos ardhur deri në rritje enorme të çmimit të rrymës, KRRE i apelon prodhuesit shtetëror, ESM-së, të risin sa më shumë prodhimin e energjisë elektrike sepse vetëm në këtë mënyrë shteti mund të ketë stabilizim dhe siguri me furnizimin e energjisë elektrike dhe stabilizim të çmimeve . (Rexhep Qamili, TVM2)
