Akuza midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, LSDM: Mickovski është njëlloj si Gruevski

11.06.2022 18:13

Akuzat mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së....

Akuzat  mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk kanë të ndalur. Partitë ia hedhin fajin njëra tjetrës për dështimet politike. Nga LSDM-ja thonë se Kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së nuk ka asnjë dallim nga parardhësi i tij Gruevski, dhe akuzojnë Mickovskin se ka shantazhuar dhe kërrcënuar kryetarët e komunave dhe afaristët.

“Mickovski njëlloj si Gruevski, VMRO-DPMNE-në e shikon si mjet për arritjen e pasurimit personal. Mickovski  u ngrit i pari për mbrojtien e krimit në partinë e tij, në vend që ta gjykojë dhe të tërhiqet prej tij. Opinioni ka dëgjuar këto ditë sesi kryetarët e qyteteve dhe afaristët dëshmojnë se Mickovski ju bën shtypje dhe ka kërcënuar disa për tendera të caktuar, kjo është vetëm vazhdim i praktikës së Gruevskit, i cili njëmbëdhejet vite kontrolloi gjithçka në shtet. Mickovski nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga matrica e regjimit të paraardhësit të tij” – tha Zëdhënësi i LSDM-së, Martin Kostovski.

VMRO-DPMNE: LSDM dhe BDI keqpërdorin parat e popullit

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE, nuk ka ngurruar të përmendi edhe partinë shqiptare në pushtet BDI-në për keqpërdorim të mjeteve të shtetit, bashkë me LSDM-në.

“Papërgjegjësia dhe krimino-gjeniteti i pushtetit, dëshmon faktin shkatërrues nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit sepse në kohën e vdekshëmërisë më të lartë për shkak të mosdhënjes në kohë të vaksinave Anti-covid, në kohën e rritjes së faturave të rrymës për shkak të katastrofës së brendshme energjetike, në kohën e eksodit të 215 mijë punëtorëve të kualifikuar nga Maqedonia, dhe në kohën e katastrofës më të madhe ekonomike në shifra të inflacionit, zyrtarët e LSDM-së dhe BDI-së ndajnë 5 milionë euro nga buxheti i shtetit për luks dhe për automjete zyrtare” – tha Zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Naum Stoilkovski.

Nga VMRO-DPMNE, thonë se LSDM dhe BDI refuzojnë masat kundër krizës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për karburantet dhe ushqimet. Populli po zhytet në varfëri, ndërsa ata shpenzojnë miliona euro për luksin e tyre, thonë nga VMRO-DPMNE. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)