Aksidenti tragjik në Llaskacë, s’ka epilog gjyqësor as pas më shumë se 3 viteve

12.06.2022 13:47

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite....

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga aksidenti tragjik në Llaskarcë, procesi gjyqësor për këtë lëndë nuk po merr epilog përfundimtar. 

Tanimë disa muaj pritet  superekspertiza nga Byroja për ekspertizë ligjore. Hasan Osmani ,vajza e të cilit si pasojë e lëndimëve të rënda ,humbi jetën 38 ditë pas aksidentit , thekson për TVM2 se po humb besimin dhe shpresën se ky proces i vonuar gjyqësor do të sjell drejtësi.

Sipas tij, superekspertiza u porosit  me qëllim që të zvarritet procesi edhe pse  familjarët, mbrojta dhe prokuroria ishin kundër me arsuyetimin se ekspertiza është kryer një herë. 

“Ne si familjarë, nuk besojmë se drejtësia do të dalë në fund, ashtu si menduam në fillim. Shumë gjëra u ndryshuan. Në fillim kishim besim në gjykatën se në fund do të dalë drejtësia dhe mbas një kohë që ndodhën këto gjëra ne kemi humbur më besimin, nuk na e merr mendja se drejtësia do të dalë në rregull. Nuk na japin informata a kanë filluar ta bëjnë, nuk e di si është puna, ndoshta e fshehin lëndën apo kërkojnë kohë që ne të largohemi prej kësaj çështje. Nuk e dimë dhe askush nuk na tregon si do të jetë puna më tutje. Ne vetëm një gjë kërkojmë, të dalë drejtësia dhe të shohim se kush është fajtorë” – tha babai i Esinit, Hasan Osmani.

As avokati Vladimir Nikollovski nuk e di për cilat arsye superekspertiza ende nuk është gati. Për këtë nuk kanë marrë përgjigje  nga Byroja për ekspertizë ligjore

"Sipas meje dhe sipas të gjitha atyre dëshmive që u shpalosën deri më tani vlerësojmë se nuk kishte nevojë për superekspertizë pasi që e njejta u bë më herët nga instancat më të larta si Fakulteti i makinerisë dhe Fakulteti elektroteknik. Nuk ka institucion më të lartë që do ta bëntë atë superekspertizë. Të gjithë presim drejtësi. Unë si avokat kërkojë nga gjykata që të përfundojë, të ketë vendim dhe të shohim një lloj drejtësie. Por, nëse do të ketë drejtësi, pas kësaj që po zvarritet kaq kohë kjo procedurë po humbim shpresën se do të ketë drejtësi” – u shpreh avokati Vladimir Nikollovski.

Damjan Mirçevski nga Byroja për ekspertiza ligjore tha për TVM 2 se superekspertiza po punohet,  por pa dashur të tregojë nëse e njejta është drejt përfundimit.

“Po punohet mbi rastin, por nuk mund të shpalosim nëse eskpertiza është drejt fundit”.

Sipas Prokurorisë, eskpertiza ka treguar se shoferi ka vozitur me shpejtësi më të madhe nga e lejuara dhe se autobusi ka pasur të vendosur manipulator të shpejtësisë. 

Si faktorë përmenden edhe frenat, defekti i të cilave është evidentuar gjatë kontrollit teknik, por nuk është mënjanuar.

Në aksidenin tragjik në Llaskarcë  më 13 shkurt të vitit 2019, humbën jetën 16 pasagjerë dhe 38 të tjerë u lënduan.

Autobusi ishte i kompanisë “Durmo Turs”. Në bankën e të akuzuarve janë pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, i punësuari i tij Remzi Miftari , Igor Gjorgjevski, Goran Dukovski, Jane Bovarosvski si dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski.

Të akuzuarit ngarkohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe sigurisë në komunikacion. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)