Botë
MPB: Do të kthehen të gjithë ata që po migrojnë
10.01.2015 14:49
Dukuria e kontrabandimit me emigrantë kosovarë po vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë dhe institucionet e vendit...

Autoritete në Kosovës vazhdimisht bëjnë thirrje tek qytetarët të mos migrojnë, por pavarësisht kësaj numri i azilkërkuesve ka arritur të kalojë shifrën mbi 23 mijë qytetarë, të cilët tashmë janë ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se 100 për qind e tyre do të kthehen në Kosovë.
Për udhëheqësin e Departamentit të Shtetësisë Azilit dhe Migrimit në MPB, Safedin Kuçi, migrimi ilegal për momentin është shqetësues dhe sipas tij, numri më i madh i azilkërkuesve është në Hungari, ku përafërsisht janë rreth 11 mijë persona. Ai ka shtuar se sipas të dhënave nga policia kjo e fundit ka hapur mbi 200 raste të trafikantëve.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Kosovapress” se janë shkatërruar disa grupe kriminele të janë marrë më kontrabandë me emigrantët. Po ashtu Policia ka njoftuar se të gjithë shtetasit kosovarë, të cilët kanë hyrë apo qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në shtetet e Bashkimit Evropian, do të riatdhesohen, pasi që Kosova, ka marrëveshje të riatdhesimit me Shtetet e Bashkimit Evropian.
Edhe zyrtarët e ministrisë së Diasporës kërkojnë nga qytetarët të mos largohen nga vendi dhe mos të bien preh e grupeve kriminale të cilët përfitojnë nga këto veprimtari të rrezikshme.
