Strugë-Ohër, gastronomia vuan për fuqi punëtore
Mungesa e punonjësve në gastronomi dhe hotelieri....

Mungesa e punonjësve në gastronomi dhe hotelieri është kthyer në shqetësim të madh për bizneset dhe sektorin e turizmit në Strugë dhe Ohër. Njoftimet dhe thirrjet e shumta për punë, edhe në rrjete sociale, mbeten pa përgjigje.
Hotelierët thonë se mungesa e kamarierëve dhe kuzhinierëve, sidomos në fillim të sezonit turistik, është një problem i madh.
“Sigurisht ka mungesë të fuqisë punëtore, nuk është problemi tek ne, është i përgjithshëm, sa i përket sektorit tonë ka mungesë të kamarierëve dhe kuzhinierëve, arsyet i dimë, emigrimi i madh, standarti ndoshta i ulët, rritet me vështirësi, nuk e di se kur të stabilizohet.” – tha Erhan Papraniku, hotelier në Strugë.
Nga shoqata e hotelierëve thonë se shumë punonjës të trajnuar këtu kanë ikur jashtë shtetit, si pasojë e rrogave më të mëdha dhe kushteve që u ofrohen atje.
Ata thonë se duhet të bëhet një plan afatgjatë, që të ketë shkëmbim të punonjësve turistikë.
“Dy vitet e kaluara në shtetet afër nuk kishte sezon të mirë turistik, kështu që nuk kishin nevojë shumë për punëtorë, ndërsa këtë vit shohim se punëtorët tanë ikin të punojnë në Kroaci dhe vende tjera. Ky është një problem i madh sepse produkti që ne nxjerrim varet shumë edhe nga punëtorët të cilët e shërbejnë. Kemi sugjeruar që nëse mundet punëtorët tonë të shkojnë jashtë të punojnë, ndërsa të huajt të vijnë këtu tek ne të punojnë, por për momentin nuk mundet, procedura është shumë e ngadaltë.” – u shpreh Kryetari i HOTAM-it, Kërste Blazheski.
Në sektorin e gastronomisë në Strugë dhe Ohër mungojnë rreth 1000 punëtorë. Hotelierët thonë se duhet një plan afatgjatë për ndalimin e migrimit, që është faktori kryesor i mungesës së fuqisë punëtore në vendin tonë.
Përveç sektorit të hotelierëve, ka mungesë të punëtorëve edhe në markete, dyqane për shitjen e rrobave dhe furrat e bukës. (Ilmije Zhaku, TVM2)
