23 vjetori i çlirimit të Kosovës, Osmani e Kurti kërkojnë drejtësi për krimet serbe

12.06.2022 17:43

Republika e Kosovës shënoi 23 vjetorin e çlirimit....

Republika e Kosovës shënoi 23 vjetorin e çlirimit të saj nga forcat serbe. Manifestimi u shënua te Treni Muze “Nga Eksodi në Liri”, në Ballcë të Hanit të Elezit, prej ku mijëra shqiptarë ikën nga Kosova dhe aty ku forcat tokësore paqëruajtëse të NATOS  hynë për ta Çliruar Kosovën.

Krerët shtetëror thanë se rruga e Kosovës është drejtë integrimit euro-atlantik, derisa shprehën përkushtimin për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

“Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin. Shteti i Kosovës është projekti më i rëndësishëm i yni i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha, por edhe projekti më i rëndësishëm i politikës amerikane-evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u vunë krah nesh, krah lirisë e demokracisë” – tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë mbi ne. Prandaj në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë e duke kujtuar luftën ta ruajmë paqen, ta shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi, të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, duhet që sa herë që mbërrin kjo datë ta shënojmë një përpjekje të re në programin socio-ekonomik dhe një kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euroatlantik” – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Më 12 Qershor 1999, në orën 04:00 të mëngjesit, NATO futet me trupat tokësore në Kosovë përmes kalimit kufitar, Bllacë-Hani i Elezit aty ku u u shënua edhe ky përvjetor.

Qytetarë të  shumtë nga Kosova askohe ishin mbledhur të entuziazmuar në kufirin Maqedoni-Kosovë për të festuar çlirimin e vendit të tyre dhe kthimin në atdhe.

“Këto forca janë të mirë se ardhura dhe do të ktheheni në Kosovë bashkë me ata” – kishte thënë një qytetar i Kosovës në vitin 1999.

“Kisha pas dëshirë sa ma shpejt unë dhe të gjithë shqiptarët të kthehemi sa ma shpejt në vendlindje  dhe ta gëzojmë lirinë për gjakun që kemi derdhur deri tani” – ishte shprehur një qytetar i Kosovës në vitin 1999.

Këtë përvjetor e uruan edhe liderët  politik shqiptarë të Maqedonisë dhe Shqipërisë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)