Maqedoni

VMRO DPMNE vazhdon me bllokimin aktiv, Arsovski: Xhaferi të vë interpelancën në rend dite

14.06.2022 15:14

VMRO-DPMNE do të vazhdojë bllokimin aktiv të Kuvendit dhe këtë nuk e lidh me protestën e paralajmëruar për më 18 qershor....

VMRO-DPMNE do të vazhdojë bllokimin aktiv të Kuvendit dhe këtë nuk e lidh me protestën e paralajmëruar për më 18 qershor. Konsiderojnë se bllokimi aktiv i Kuvendit po jep rezultatet që i kanë pritur, përkatësisht kanë dëshmuar se opozita nuk mund të injorohet në tërësi.  
 
“Është e qartë se ata edhe ashtu nuk kanë shumicë seroze që të mund të funksionojnë, praktikisht u pa se deputetët e VMRO DPMNE-së, përkatësisht të opozitës, janë shumë të vlefshëm për funksionimin e Parlamentit dhe s’mund të injorohen, siç përpiqej pushteti në të kaluarën, përkatësisht LSDM, BDI dhe kryetari i Kuvendit. Bllokimi aktiv vazhdon dhe çdo gjë që konsiderojmë se është e dëmshme do ta bllokojmë.”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
Partia e Mickovskit rikujton kryetarin e Kuvendit se ka një interpelancë për të dhe kërkon që ajo të vihet menjëherë në rend dite.  
 
“Duket se është i frikësuar, ik, po fshihet. Është i vetëdijshëm se ajo që bëri nuk është në favor të Kuvendit dhe qytetarëve, por për këtë duhet të mbajë përgjegjësi dhe menjëherë duhet ta vë interpelancën në rend dite.”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
Pak ditë më parë dështoi nisma e një grupi deputetësh të VMRO DPMNE-së për të diskutuar shkeljen e Kodit Etik nga ana e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, pasi me pesë vota “kundër” dhe katër “për”, Komisioni për Çështjet e Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit hodhi poshtë rendin e ditës, përkatësisht kërkesën për të diskutuar këtë çështje.
 
SHPËTIM NUREDINI