Kulturë
Tetovë, të mërkurën fillon Festivali i filmit “Watch Out”
14.06.2022 16:31
Të mërkurën në orën 20 fillon edicioni i 10 i Festivalit ndërkombëtar të filmit “Watch out”...

Të mërkurën në orën 20 fillon edicioni i 10 i Festivalit ndërkombëtar të filmit “Watch out”. Festivali do të mbahet për 4 ditë me radhë në muzeun e qytetit në Tetovë dhe do të jetë një pikëtakim për artistët dhe adhuruesit e filmit, thonë organizatorët.
“Ajo që duket sivjet do të thotë se festivali i filmit ka një prurje jo vetëm në volum por edhe kualitative. Edhe vet filmat që i kemi marrë sivjet, nuk kanë qenë të pandikuar nga ajo që ka ndodhur përreth, d.m.th. nga pandemia deri te kriza e fundit në Ukrainë. Festivali do të hapet me një film shumë të shkurtër, që është një përkujtim një thirrje artistike për të gjithë atë që ndodh në Ukrainë.”,- tha drejtori i Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”, Bujar Luma.
Festivali organizohet nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”, ndërsa këtë vit është vërejtur interesim i madh për pjesëmarrje nga shumë shtete.
“Ka pasur diku 570 aplikacione nga 59 shtete dhe 6 kontinente që ishte një mundësi e mirë për debatimin dhe rishikimin e temave. Nga këto aplikime jurisë i janë ofruar 40 filma, pastaj juria profesionale i ka përzgjedhur fituesit.”,- theksoi vullnetarja franceze, Florans.
Sipas vendimit të jurisë, fitues janë dy filma spanjoll në kategorinë e filmit artistik të shkurt dhe filmit dokumentarë, si dhe në kategorinë e filmit eksperimental është fitues një film nga Irani.
GYLTENE SINANI
