Maqedoni
Regjistrimet në shkollat e mesme përfundojnë nesër, nxënësit tetovarë: Kemi probleme gjatë logimit
14.06.2022 16:52
Regjistrimet e semi-maturantëve në shkollat e mesme që për herë të parë në vend realizohen online, do të zgjasin deri nesër në orën 15...

Regjistrimet e semi-maturantëve në shkollat e mesme që për herë të parë në vend realizohen online, do të zgjasin deri nesër në orën 15. Nga Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës thonë se për procesin e regjistrimit në shkollat e mesme të Tetovës ka pasur ankesa nga prindër dhe nxënës se ueb faqja e MASh-it është jofunksionale. Për këtë problematikë është informuar MASh, nga ku është thënë se ky problem do të rregullohet, ndërsa nxënësit që kanë hasur në problem duhet të drejtohen deri te shkollat fillore për t’u dalë në ndihmë.
“Për këtë rast dua të njoftoj se të gjithë nxënësit dhe prindërit të cilët hasin në pengesa gjatë logimit në akauntet e tyre, të drejtohen në shkollat amë ku kanë mbaru shkollim 9 vjeçar, që nga ana e kujdestarëve të klasave t’u jepen akauntet dhe po ashtu kemi angazhuar të gjitha shkollat fillore dhe të mesme që t’u ndihmojnë nxënësve dhe nuk duhet panik të bëjnë nxënësit, sepse ka edhe dy afate tjera për regjistrim.”,- deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës.
Komuna e Tetovës do të parashtrojë kërkesë deri te MASh që procesi arsimor në Shkollën Fillore “Andrea Savevski Kikish” të vijojë deri në klasën e nëntë, sepse këtë vit ka 15 nxënës të regjistruar dhe pritet ky numër të rritet. Nga Ministria e Arsimit pritet përgjigje për këtë çështje.
“Për të vazhduar procesi edukativo-arsimor në “Kikish” deri në klasën e nëntë do të duhet që MASh të lëshojë financime të reja për punësim të arsimtarëve që do të ligjërojnë prej klasën së gjashtë deri në të nëntën dhe e dimë që qeveria ka marrë vendim të restriksioneve për shkak të krizës globale dhe mendojmë dhe shpresojmë që MASh do të hasi në mirëkuptim që procesi edukativo-arsimor të vazhdojë deri në klasën e nëntë.”,- u shpreh Dauti.
Po ashtu vijon edhe regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe deri më tani janë regjistruar 849 nxënës. Nga komuna e Tetovës thonë se shqetëson fakti që numri i nxënësve po ulet për shkak të migrimeve të banorëve në shtetet perëndimore.
FLUTURA LATIFI TOPOJANI
