Qeveria e miratoi vendimin, Tetova shkon në zgjedhje për Këshillin Komunal
Qeveria vendosi të shpërbëjë Këshillin e Komunës së Tetovës....

Qeveria vendosi të shpërbëjë Këshillin e Komunës së Tetovës, pasi i njëjti nuk ka respektuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe nuk arriti të miratojë llogarinë përfundimtare në kohën e caktuar.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky vendim është i vonuar dhe sipas tij ata janë të gatshëm për zgjedhje, pasi ka më shumë se një muaj që Këshilli është jashtë funksionit.
“Fillimisht vlerësoj se është i vonuar, por më mirë vonë se kurrë, pasi një muaj e më tepër Këshilli Komunal dhe Komuna janë të bllokuar. Ne vlerësojmë se zgjedhjet duhet të jenë sa më shpejtë, që komuna e Tetovës të jetë funksionale me gjithë organet dhe institucionet e saj në këtë rast këtë rast. Duke pasur parasysh peshën e Këshillit në pushtetin lokal, vlerësoj që zgjedhjet të jenë sa më parë qe të jetë e mundur, të kemi një këshill që do jetë në interes të qytetarëve. Kjo paraqet problem shtesë për kundër të gjithë atyre qe u identifikuan, me riorganizimin e administratës komunale, me aspektin financiar, tani më kur kaloi një muaj pa këshillin komunal. Presim qe kryetari i kuvendit të sjellë vendimin kur do të ketë zgjedhje, tani ne edhe këto tre muaj e kemi të pamundur të sjellim vendime të rëndësishme sa i përket funksionimit të pushteti lokal.”,- deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kreu i Tetovës pret të shpallet data e zgjedhjeve dhe më pastaj do të prononcohen nëse do të ketë ndonjë koalicion paraprak më ndonjë parti tjetër.
“Fillimisht ne duhet të kemi vendimin formal të Qeverisë për shpërbërje të Këshillit dhe vendimin e kryetarit të Kuvendit për shpallje të zgjedhjeve dhe konform asaj do të vendoset edhe dinamika e bisedimeve me subjektet politike dhe aktorët e faktorët tjerë relevant të Tetovës për bashkëpunimin eventual edhe parazgjedhor por edhe politikat që duhet t`i ofrojmë për qytetarët e Tetovës.”,- shtoi Kasami.
Nga “Më mirë për Tetovën” thonë se kreu i komunës me dije apo pa dije e ka shkelur Ligjin për llogarinë përfundimtare dhe përgjegjësia është mbi ta.
“Përgjegjësia është e ekzekutivit që nuk ka arritur në kohë të sjellë dokumentet e duhura deri në Këshillin Komunal dhe përgjegjësia është po ashtu e tyre që në momentin që pyeti Hamdi Sulejmani se çka nëse nuk votohet e nuk kalon, nuk ka përgjigje adekuate, tregon joseriozitetin në punë.”,- tha Elemdina Abdullahi nga “Më mirë për Tetovën”.
Nga “Nisma për Tetovën” thonë se do të marrin pjesë në zgjedhje, por nuk potencuan se a do të bëhen pjesë e ndonjë koalicioni, por thanë se këtë do ta bëjnë publike pasi kuvendi të sjellë datën për zgjedhje në Këshillin Komunal - Tetovë. (Visar Sadiki, TVM2)
