Asani: Nënë Tereza të shpallet aset shtetëror
Departamenti i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës....

Departamenti i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore Shqiptare, shënoi 25 vjetorin e shkuarjes në amshim të shenjtores shqiptare.
Kjo ngjarje është vazhdimësi e përpjekjes tri-dekadëshe për mbrojtjen e identitetit shqiptar të Nënë Terezës.
Pas hapjes së institucionit të parë shkencor për artikulimin e duhur të figurës së Nënë Terezës dhe krijimit të strategjisë për mbrojtjen e figurës së Nënë Terezës, hap i radhës duhet të jetë shpallja e Nënë Terezës si aset shtetëror.
“Ne ia kemi dorëzuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që ta shpall aset shtetëror këtë figurë dhe të hyjë nën mbrojtjen e shtetit dhe kështu ne do t’i kultivojmë dhe do t’i ngrisim personalitetet tona dhe do të na nderojnë këto personalitete ne si shqiptarë, por edhe mbarë civilizimin. Këto personalitete japin frymëzim për paqe dhe orientim se nga duhet të shkojë civilizimi botëror.”,- tha drejtori i ITKSH-së, Skender Asani.
Don Lush Gjergji: Shën Tereza, frymëzim për mbarë njerëzimin
Pjesë e panelit të diskutimit ishte edhe promovimi i veprës “E kam në zemër popullin tem shqiptar – Bisedime me Shën Nënën Terezë’ të autorit Don Lush Gjergji. Libri përmban intervista ekskluzive, fotografi të rralla, fjalime dhe porosi ku pasqyrohen vizionet largpamëse dhe sistemi unik i mendimit të Nënë Terezës.
“Do të doja që çdo shqiptar ta ketë në mend dhe në zemër dhe nga ajo të frymëzohet për të jetuar ndryshe, sepse vërtetë stili i jetës dhe veprës së Nënë Terezës është një risi absolute jo vetëm për krishterimin, por edhe për mbarë njerëzimin.”,- u shpreh biografi i jetës së Nënë Terezës, Lush Gjergji.
Sipas studiueses Ines Angeli Murzaku nga “Seton Hall University”, një pjesë e konsiderueshme e librit hedh dritë edhe mbi raportin e Nënë Terezës me Shkupin dhe shkupjanët.
Prej datës 25 gusht deri më 5 shtator do të ketë manifestime qendrore ne Shkup, Prishtinë, Tiranë dhe Amerikë, në nderim të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. (Arlinda Baftiu, TVM2)
