Beteja në lindje të Ukrainës, rusët vërshojnë qendrën e Severodonetskut

14.06.2022 19:14

Trupat rusë kanë hyrë në qendër të qytetit lindor - Sievierodonetsk....

Trupat rusë kanë hyrë në qendër të qytetit lindor - Sievierodonetsk dhe po vazhdojnë të bombardojnë një fabrikë kimike, ku janë strehuar qindra ushtarë dhe civilë.

Guvernatori rajonal, Serhiy Haidai, tha se trupat rusë kontrollojnë rreth 70 për qind të qytetit dhe i kanë larguar forcat ukrainase nga qendra e tij. Ai tha se fabrika “Azot” në këtë qytet, ku janë strehuar qindra civilë, po "bombardohet rëndë".

“Rreth 500 civilë mbeten në fabrikë dhe ushtria e Ukrainës po përpiqet t'i largojë ata në një vend të sigurt. Mbi fabrikën “Azot Plant” ka bombardime të vazhdueshme dhe kjo e rrezikon jetën e civilëve.”,- tha guvernatori rajonal, Serhiy Haidai.

Rusia thotë se të gjitha urat e qytetit janë shkatërruar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se beteja për rajonin e Donbasit do shënohet në histori si një nga betejat më të dhunshme në Evropë.

"Beteja në Donbas, me siguri do të hyjnë në historinë ushtarake si një nga betejat më brutale në Evropë dhe për Evropën - ushtria ukrainase dhe inteligjenca jonë taktikisht ende luftojnë ushtrinë  ruse. Për ne, çmimi i kësaj beteje është shumë i lartë. Është thjesht e frikshme.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelenski përsëriti thirrjet për vendet partnere që t'i dërgojnë Ukrainës artileri moderne për t'u përdorur kundër forcave ruse. Në kohën që Ukrainë kërkon armatim nga perëndimi, separatistët pro-rusë kanë mungesë ushtarësh dhe bëjnë thirrje për trupa ushtarake shtesë.

“Armiku i ka kaluar fjalë për fjalë të gjithë kufijtë, duke përdorur metoda të ndaluara të luftës. Rrethet e banuara dhe qendrore të Donetskut po bombardohen, si dhe qytete dhe qyteza të tjera nën flakë janë edhe të Republikës Popullore të Donetskut. Në këtë drejtim u kuptua se më shumë trupa ushtarakë, pra duhet të përfshihen të gjitha forcat shtesë të nevojshme të forcave aleate, veçanërisht ato të Federatës Ruse.”,- tha kreu i Republikës së Vetëshpallur Popullore tË Donetskut, Denis Pushilin.

Rusia pretendon se tashmë kontrollon 97 për qind të provincës Luhansk ku ndodhet Sievierodonetsku. Por, pushtimi i qytetit industrial të Sievierodonetskut, me një popullsi prej 100.000 banorësh sa kishte para luftës, mbetet vendimtar për qëllimin më të gjerë të Moskës për të kontrolluar rajonin lindor të Donbasit, i cili përfshin provincat Luhansk dhe Donetsk. Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe forcat e Kievit që atëherë kanë luftuar me separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)