Maqedoni
A do marrë RMV datë për negociata me be- në. Grliq: Teknikisht gjithçka është e mundur
15.06.2022 10:55
Kroacia mbështet hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në...

Kroacia mbështet hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe se kjo është në interes edhe të BE-së, tha Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kroacisë, Gordan Grliq Radman, në konferencën e sotme për shtyp në Shkup.
Grliq Radman tha se Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sakrifica, si ndryshimi i emrit dhe reforma tjera të rëndësishme, dhe se pret për 17 vite për hapjen e negociatave, ndërkaq theksoi se teknikisht është e mundur që vendi të marrë datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare këtë muaj.
“Është e rëndësishme që kjo çështje sërish të jetë në agjendën e kryesisë evropiane. Unë mendoj se teknikisht gjithçka është e mundur. Kjo është brenda disa ditëve. Unë edhe në deklaratë e kam paralajmëruar që presim dhe shpresojmë në thirrjen e konferencës ndërqeveritare”, theksoi Grliq Radman.
Osmani: Sytë e 18 milionë njerëzve janë në Sofje
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, tha se sytë e 18 milionë njerëzve janë te Sofja se çfarë vendimi do të marrë për të nisur negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në.
“Unë nuk dua që qytetarët e Bullgarisë të jenë frenues për të ardhmen evropiane të 18 milionë njerëzve, sepse nuk është më çështja nëse Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat, por nëse Ballkani Perëndimor do të ketë një perspektivë evropiane.”, tha Osmani.
Osmani shtoi se shpreson se politikanët bullgarë do të ngrihen në nivelin e detyrës së tyre dhe nuk do të lejojnë që në Sofje të ndërtohet një monument në varrin e politikës më të suksesshme të BE-së në 75 vitet e fundit, e kjo është politika e zgjerimit.
