Maqedoni

Alternativa: Rexhepi ta kthejë mandatin, është i partisë

15.06.2022 13:25

Pas njoftimit të djeshëm të deputetit Skender Rexhepi se do të veprojë si deputet i pavarur....

Pas njoftimit të djeshëm të deputetit, Skender Rexhepi, se do të veprojë si deputet i pavarur, nga Alternativa përmes një kumtese kanë sqaruar se ky vendim është vendim thjesht personal dhe nuk ka të bëjë me ndonjë qëndrim të ndërlidhur ndaj ndonjë strukture apo organi partiak.

Alternativa thotë se ky vendim nuk do të prekë as grupin e deputetëve, as shumicën parlamentare dhe as pjesëmarrjen e Alternativës në ekzekutiv. Por, sipas tyre, tërheqja e Rexhepit pikërisht  në momentin kur opozita maqedonase organizon protesta kundër shumicës parlamentare, është intriguese por kjo është një çështje të cilës ai duhet t'i përgjigjet vetë. Shtojnë se meqenëse mandatet e kësaj përbërje parlamentare, rrjedhimisht edhe të Alternativës, janë marrë me logo dhe në emër të partisë, e jo si kandidatura të pavarura, deputeti Skender Rexhepi , në emër të moralit politik dhe detyrave ndaj strukturave partiake nga me të cilin u bë deputet , duhet të kthejë mandatin dhe Alternativa do t'i ishte mirënjohëse për kontributin e deritanishëm. Deputeti Skënder Rexhepi ishte i pakapshëm sot për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta që ngriti vendimi I tij një ditë më parë por edhe  pyetjes që shtroi sot partia nën logon e së cilës fitoi mandatin e deputetit.