Botë

Michel porosi Kosovës: Angazhohuni në dialogun me Serbinë

15.06.2022 13:53

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, edhe një herë nga Prishtina konfirmoi se Ballkani Perëndimor...

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, edhe një herë nga Prishtina konfirmoi se Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik për BE-në. Në një pres konferencë me presidenten, Vjosa Osmani, ai tha se  BE do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, por kërkoi angazhim në përparimin e dialogut Prishtinë-Beograd.
 
“Jam i qartë se ka pikëpamje të ndryshme, por duhet kurajo politike nga dy palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.  Është e rëndësishme që të ketë stabilitet në rajon. E kam të qartë se Kosova ka qëllim të aplikojë për vend kandidat, është verdikt që duhet të merret nga autoritetet kosovare dhe pastaj i ngelet PE-së , duhet mbështet nga shtetet nga shtetet anëtare ka procedura formale që të duhet mbulohen,  por çështja e sundimit të ligjit është A-ja e këtij procesi.”,- tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
 
Osmani: Njohja reciproke, zgjidhje që siguron paqe në rajon
 
Por, presidentja Osmani, ritheksoi se dialogu me Serbinë, duhet të përqendrohet në njohje reciproke, si e vetmja zgjidhje që siguron paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
 
“BE nuk do duhej që të lejonte që dialogu të shndërrohej në instrument të Serbisë për ta minuar integritetin e Republikës së Kosovës, qoftë ne mekanizma rajonal, qoftë në mekanizma evropian… Vetëm kur Serbia ta njoh realitetin e Kosovës së pavarur, realitet që nuk ka kthim prapa dhe është këtu përgjithmonë dhe vetëm atëherë do të shohim paqe afatgjate  përpare dhe po ashtu do të shohim hapa konkret për të gjithë rajonin tonë drejt anëtarësimit në BE.”,- tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Michel: Kosova duhet t’i bashkohet nismave rajonale
 
Michel përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se për këtë proces vendosin vendet e BE-së, derisa i bëri thirrje Kosovës që të bashkohet në nismat rajonale.
 
“E dini që shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin një nga një në këtë çështje. Dëshiroj që Kosova të marrë pjesë në forumet regjionale dhe të implementoj të gjitha agjendat për një treg të përbashkët rajonal.”,- theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
 
Osmani: Europa e bashkuar, është e paplotë pa Kosovën
 
Osmani, thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është stërvonuar, pavarësisht përmbushjes së kritereve.
 
“Deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë ndaj popullit të Kosovës, një padrejtësi e thellë, prandaj ne do të vazhdojmë që të jemi të zëshëm në pengesat e fundit në këtë drejtim.”,- tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Presidentja Osmani tha edhe se një Evropë e bashkuar, e lirë dhe në paqe, është e paplotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor brenda saj.
 
GAZMEND REXHEPI