Maqedoni

Nisja e bisedimeve për RMV-në dhe Shqipërinë, Nesturi: BE nuk i bën sa duhet presion Bullgarisë

15.06.2022 14:41

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë duket e largët...

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë duket e largët,  paralajmëroi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një intervistë për “Politico”. I të njëjtit mendim është edhe analisti, Plator Nesturi.

Në një intervistë për TVM2, Nesturi tregon edhe arsyet pse gjatë presidencës franceze që përfundon brenda muajit nuk ka gjasë për hapje negociatash.

“Tani ne jemi dënuar që të ecim dorë për dore drejt BE-së, por çështja është që BE ka probleme të tjera. Nuk është vetëm aspekti i vetos bullgare, por edhe trysnitë që vijnë për shkak të luftës në Ukrainë, gjë që ka sjellë një vëmendje më të shtuar të BE-së drejt konfliktit në zemër të Europës. Mendoj që java e ardhshme nuk do të sjellë diçka të re. Mendoj se ndikon edhe pasojat që ka në Bullgari sidomos çështja e prishjes së koalicionit qeverisës, tashmë maxhoranca atje nuk i ka numrat.”,- tha analisti politik, Plator Nesturi.

Pikërisht kjo situatë, për analistin Nesturi, e penalizon edhe Shqipërinë. Por sa të vërtetë e sheh ai ftesën e Macron për negociim për qeverisë së Shkupit dhe Sofjes?

Ka pasur një lloj trysnie por nuk ka qenë në të gjithë vitalitetin e vet.”,- theksoi analisti politik, Plator Nesturi.

Për Nesturin, batuta e bërë me Kovaçevskin gjatë takimit me kancelarin gjerman Scholz, e ka vënë në siklet kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, deri aty sa të distancohet dhe të mos pranojë ftesën për vizitë në Ukrainë.

“Mendoj se përveç çështjeve të agjendave, këto janë shfajësime pasi nganjëherë janë pasoja të rrethanave të brendshme. Kemi parasysh këtu edhe debatet e hapura mes vetë politikës së Maqedonisë, sidomos me deklaratat e kryeministrit Rama që nuk ishin elementë denigrues për Maqedoninë apo kryeministrin. Këto janë batuta që mund të jenë në biseda të lira, duke i hequr thelbin zyrtar”,- u shpreh Nesturi.

Një koment, Nesturi e ka edhe për nismën “Open Balkan”, duke e parë pjesëmarrjen e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës si garanci edhe për Kosovën, që sipas tij, po humbet shumë nga refuzimi i nismës.

Kosova, aq me tepër si shteti më i ri në rajon, i duhet një politikë më e gjallë, më energjike dhe të jetë pjesëmarrëse për të bërë prezantimin e saj me dinjitet. Nuk shoh që gjatë kësaj periudhe qeveria e Kosovës të ketë pasur një iniciativë tjetër politike, që të themi që është marrë me atë dhe nuk po i kushton rëndësi Open Balkan”,- tha Nesturi. (Luljeta Ndoka, TVM2)