Regjistrimi online, probleme gjatë aplikimit, procesi më transparent
Regjistrimi online i semi-maturantëve në shkollat e mesme përfundoi...

Regjistrimi online i semi-maturantëve në shkollat e mesme përfundoi, por u shoqërua me probleme gjatë aplikimit. TVM2 qëndroi në dy shkolla të mesme profesionale ku profesorët potencuan se ka pasur shumë nxënës që kanë kërkuar ndihmë për t’u regjistruar.
“Aplikimi online duhej sivjet të jetë vetëm një pilot projekt dhe vitin e ardhshëm të realizohet. Kjo u paraqet pengesë nxënësve të cilët vijnë dhe kërkojnë ndihmë nga profesorët për të aplikuar në drejtimet të cilët ata i dëshirojnë. Përpos adresave që i kanë humbur, pasvordeve për aplikim kanë problem edhe me rënien e rrjetit kështu që do të jetë pak më i vështirë sivjet regjistrimi i nxënësve.”,- tha profesori në Sh. M. “8 shtatori”, Safet Ademi.
Gjithsesi, profesorët potencojnë se aplikimi online bën që procesi të jetë më transparent e nxënësit të regjistrohen vërtetë aty ku e meritojnë.
“Nga vetë fakti se as ne profesorët apo dikush tjetër në shkollë nuk kemi qasje se sa veta janë paraqitur dhe cili është suksesi i tyre, besoj se kjo është shumë më transparente.”,- u shpreh profesori në Sh. M. “Vllado Tasevski”, Muzafer Alimi.
Shaqiri: Sistemi funksionoi, pranuam mbi 14.500 aplikime
MASh e quan sukses aplikimin elektronik. Ministri Jeton Shaqiri thotë se janë pranuar mbi 14.500 aplikime dhe disponueshmëria e portalit rezultoi në një proces dukshëm më të relaksuar krahasuar me të gjitha vitet e mëparshëm.
“Aplikimi online zvogëloi rrëmujën, dhe i dha siguri maksimale vetë procesit duke mënjanuar faktorin njeri nëpër shkolla.”- u shpreh ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.( Flutura Latifi, TVM2)
