Maqedoni
Radman: Teknikisht, fillimi i negociatave është i mundur
15.06.2022 15:29
Republika e Kroacisë kërkon që Bullgaria të heq veton dhe të lejojë miratimin e kornizës për fillimin e negociatave...

Republika e Kroacisë kërkon që Bullgaria të heq veton dhe të lejojë miratimin e kornizës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shefi i diplomacisë kroate, Gordan Gërliq Radman konsideron se, pas agresionit rus në Ukrainë, zgjerimi po shndërrohet në çështje të sigurisë, prandaj nuk duhet lënë hapësirë që palët e treta të shtrijnë ndikimin dhe rasti me Ukrainën të jetë precedencë me efekt domino. Sipas tij, teknikisht, fillimi i negociatave mund të ndodh brenda qershorit.
“Unë mendoj se teknikisht është e mundur. Bëhet fjalë për një javë. Presim dhe shpresojmë në thirrjen e asaj konference ndërqeveritare. Mendoj se presidenca franceze është shumë me rëndësi në këtë rast, por edhe qasja e vendeve tjera anëtare të cilat angazhohen për sigurinë dhe promovimin e projektit të BE-së dhe vlerat evropiane për të cilat jemi përcaktuar të gjithë ne që jemi anëtarë të Unionit Evropian.”,- tha ministri i jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.
Osmani: Nuk pres që Sofja të varrosë politikën e zgjerimit
Pavarërsisht krizës së re politike në Bullgari, edhe ministri Osmani pret që pala bullgare të tregohet e përgjegjshme dhe heq veton. Konsideron se një frenim i ri nga pala bullgare do të varroste politikën e unionit pro zgjerimit dhe do të rrezikonte sigurinë e rajonit dhe Evropës.
“18 milionë njerëz kanë kthyer sytë nga Sofja se çfarë vendimi do të merr. Mendoj se qytetarët e Bullgarisë nuk duan të jenë frenues të së ardhmes evropiane të 18 milionë njerëzve pasi kjo nuk është më çështje nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë bisedimet, kjo është çështje nëse Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane në përgjithësi. Shpresoj se politikanët bullgarë do të jenë në nivel të përgjegjësisë s’do lejojnë që në Sofje të ndërtohet përmendorja e varrit të politikës më të suksesshme të BE-së në 75 vitet e fundit, dhe kjo është politika e zgjerimit.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani dhe Gërliq Radman, shënuan 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve me një memorandum bashkëpunimi në fushën e edukimit diplomatik.
SHPËTIM NUREDINI
