AAA kërkesë Rexhepit: Ktheje mandatin, e ke marrë në emër të partisë

15.06.2022 17:14

Nga kjo parti kanë sqaruar se ky vendim është thjesht personal....

“Deputeti Skender Rexhepi të kthejë mandatin që ka marrë në emër të partisë”, reagojnë nga Alternativa, pasi deputeti dërgoi njoftim  deri te organet e Kuvendit se do të veprojë si i pavarur.

Nga kjo parti kanë sqaruar se ky vendim është thjesht personal dhe nuk ka të bëjë me ndonjë qëndrim të ndërlidhur ndaj ndonjë strukture apo organi partiak.

Nga Alternativa thonë se ky vendim nuk do të prekë as grupin e deputetëve, as shumicën parlamentare, e as pjesëmarrjen e Alternativës në ekzekutiv.

“Meqë mandatet e deputetëve të kësaj përbërje parlamentare, rrjedhimisht edhe të Alternativës, janë fituar nën logon dhe emrin e partisë, e jo si kandidatura të pavarura, shpresojmë që deputeti Skender Rexhepi – në emër të moralit politik dhe detyrimit ndaj strukturave partiake që e kanë bërë deputet – ta kthejë mandatin e fituar në emër të partisë, për çka Alternativa do të jetë mirënjohëse dhe falënderuese për punën e deritanishme”, thuhet në reagimin me shkrim të Alternativës.

Por, sipas tyre, tërheqja e Rexhepit pikërisht në momentin kur opozita maqedonase organizon protesta kundër shumicës parlamentare, është intriguese, por kjo është një çështje të cilës ai duhet t'i përgjigjet vetë.

Deputeti Skënder Rexhepi ishte i pakapshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta që ngriti vendimi i tij një ditë më parë por edhe  pyetjes që shtroi sot partia nën logon e së cilës fitoi mandatin e deputetit.

Rexhepi arsyetoi një ditë më parë vendimin për të vepruar si deputet i pavarur, që sipas tij e ka marrë pasi nuk është realizuar asgjë nga ajo që kishte pritur më herët dhe për shkak se, pas kongresit të partisë, është thelluar edhe më shumë njëmendësia në udhëheqësinë më të ngushtë.(Sanije Kasami, TVM2)