Alternativë për të zëvendësuar Rusinë, BE nënshkruan marrëveshje për gazin me Izraelin dhe Egjiptin

15.06.2022 20:55

Për të reduktuar varësinë energjetike nga Rusia....

Për të reduktuar varësinë energjetike nga Rusia, Bashkimi Europian hedh sytë nga Izraeli dhe Egjipti. Këto dy shtete do të rrisin eksportet e gazit natyror për në Evropë pas nënshkrimit të një memorandumi.

Në marrëveshjen e nënshkruar nga të tria palët në Kajro, thuhet se Izraeli do të dërgojë më shumë gaz përmes Egjiptit, i cili ka logjistikën për ta kthyer atë në gjendje të lëngshme dhe për ta eksportuar më pas përmes detit në vendete BE-së.

“Ne po përjetojmë një luftë në tokën europiane dhe prandaj ne jemi në një proces për të diversifikuar plotësisht furnizimet tona energjetike larg karburanteve të djegshme të Rusisë për klientë të besueshëm, dhe ju jeni të tillë”, tha Von der Leyen.

Sipas paktit të nënshkruar, BE-ja do të nxisë kompanitë europiane të marrin pjesë në tendera eksplorimi në Izrael dhe Egjipt. Zyrtarët izraelitë thonë se presin që dërgesat e gazit natyror të lëngshëm për në Europë të rriten, edhe pse konfirmojnë se do të duhen disa vite përpara se eksportet të zgjerohen ndjeshëm.

Edhe Egjipti është një vend prodhues i gazit, por eksportet e tij janë kufizuar nga rritja e kërkesës së brendshme. Në ujdi konfirmohet se gazi natyror, do të ketë një rol kryesor në tregun energjetik të Unionit deri në vitin 2030.

BE zakonisht ka marrë rreth 40 për qind të furnizimeve me gaz nga Rusia dhe për këtë arsye e ka pasur shumë të vështirë që të vendosë sanksione në këtë sektor ekonomik.