Botë

Koreja e Veriut përballet me shpërthim të ri të një sëmundjeje infektuese

16.06.2022 13:46

Koreja Veriore ka raportuar të enjten për shpërthimin e një epidemie të paidentifikuar të zorrëve në një rajon bujqësor...

Pacientët po përballen me “epidemi akute enterike”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, pa dhënë detaje për numrin e të prekurve, dhe pa identifikuar sëmundjen. Termi enterik i referohet traktit gastrointestinal.
 
Një zyrtar i Ministrisë për Bashkim në Korenë e Jugut, i cili merret me çështjet mes dy Koreve, ka thënë se Qeveria është duke vëzhguar shpërthimin, që dyshohet se është kolerë apo tifo, sëmundje që shkaktohen si pasojë e ujit apo ushqimit të kontaminuar, apo kontaktit me feces të personit të infektuar.
 
Raportimi për këtë shpërthim vjen teksa verikoreanët po përballen me shpërthimin e parë të infektimeve me Covid 19. Koreja Veriore ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme muajin e kaluar, teksa autoritetet përballen me mungesë të vaksinave dhe ilaçeve tjera.
 
Agjencia për spiunim e Koresë Jugore, u ka thënë ligjvënësve se sëmundjet që barten përmes ujit, siç është tifoja, janë përhapur në Korenë Veriore edhe para se të shpërthente koronavirusi.