Botë
OKB: Shifra rekorde të refugjatëve më 2021
16.06.2022 14:02
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), ka thënë se numri i njerëzve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre më 2021...

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), ka thënë se numri i njerëzve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre më 2021 ka arritur në nivele rekorde.
Në raportin e lëshuar më 16 qershor, agjencia ka thënë se 89.3 milionë individë në gjithë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre më 2021, si rezultat i persekutimit, konfliktit, dhunës apo shkeljes së të drejtave të njeriut. Kjo shifër është për 8 për qind më e madhe sesa vitin paraprak, dhe dyfish më e madhe sesa një dekadë më parë.
Pushtimi rus në Ukrainë , ka nxitur një prej krizave më të mëdha të shpërnguljes, prej Luftës së Dytë Botërore, derisa edhe “emergjencat tjera” në Afrikë, Afganistan dhe pjesë tjera të botës, e kanë rritur shifrën në mbi 100 milionë më 2022. Sipas raportit, rreth 7.1 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda shtetit të tyre prej nisjes së luftës në Ukrainë, derisa më shumë se 6 milionë refugjatë kanë dalë krejtësisht nga shteti.
Në raport është përmendur se Afganistani ka shënuar 4 për qind ulje sa u përket refugjatëve më 2021, pavarësisht tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga shteti, dhe marrjes së kontrollit nga talibanët.Megjithatë, Afganistani vazhdon të jetë vendi i tretë në botë për nga numri i refugjatëve, 2.71 milionë. Në vendin e parë renditet Siria me 6.8 milionë refugjatë dhe në të dytin Venezuela me 4.6 milionë.
