Botë

Prishtinë, veteranët e UÇK-së në protesta

16.06.2022 15:31

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përkrahur nga partitë opozitare, kanë thirrur protestua para Kuvendit të Kosovës...

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përkrahur nga partitë opozitare, kanë thirrur protestua para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mospërfshirjes së pensioneve të veteranit te rritja e pagës minimale, që në parim u miratua nga Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor.
 
Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, pasi siç ka sqaruar qeveria kjo çështje duhet të rregullohet me ligjin e pensioneve e jo me ligjin e pagave me çka nuk janë pajtuar shoqatat e veteranëve.
 
Protestuesit kanë kundërshtuar edhe mbajtjen e seancës së rregullt të Kuvendit dhe duke tentuar ta pengojnë të njëjtën kanë hyrë edhe në oborrin e Kuvendit pas shtyrjeve me forcat policore.
 
“Kërkoj nga pushteti i cili po bën vazhdimisht provokime që t’i ndalojë provokimet të kthehet ta tërheq ligjin, pasi ky ligj është në kundërshtim me vendimin e gjykatës kushtetuese. Këta deputet që shkelin ligje që shkelin kushtetutë nuk e kanë vendin këtu.”,- tha Faton Klinaku nga OVL-UÇK.   
                   
Por pati edhe protestues që u dakorduan me qëndrimin e qeverisë për pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm dhe njëherit apeluan për protestë paqësore duke pasur konsiderate për institucionet. 
 
“Për pastrimin e listave, ta kthejmë që nga fillimi, ta kthejmë procesin në pikën zero dhe të fillojmë nëse është kjo arsyeja. I lus krejt protestuesit të protestojmë në mënyrë të qetë, ky shtet është i yni, kryeministri është i yni, presidenti është i yni, kushdo që të vijë, ne jemi djem të kësaj toke dhe ta ruajmë me nder. Mundet me pas një pakënaqësi që shprehet ndonjë veteran, por nuk përfaqësojnë ata të cilët bëjnë ekcesin më të vogël e etik të UÇK-së.”,- deklaroi përfaqësues i OVL-UÇK-së nga Hasi.
 
Kurti: Jam i gatshëm të diskutoj me veteranët e UÇK-së
 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës për Dialog, që po zhvillon punimet në Ohër që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
“Natyrisht që jam për dialog, për të diskutuar me organizatat e dala nga lufta me veteranët e luftës së UÇK-së, dhe do ti dëgjoj e t’i diskutojmë të gjitha por unë besoj se ata janë përfaqësues të protestave jo një deputet i opozitës.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Por, deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar ndërprerjen e seancës, pas çka seanca është ndërprerë nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thirrur në koordinim koordinatorët e grupeve parlamentare. 
 
GYLTENE SINANI