Maqedoni

Forumi i Prespës për dialog, Osmani: Ballkani, pjesë e arkitekturës së re. Skena bullgare s’është premtuese

16.06.2022 16:07

Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë...

Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë është tema që do të shoshitet në Forumin e Prespës për Dialog, i cili në edicionin e dytë ka mbledhur përfaqësues të lartë të Unionit Evropian, SHBA-ve si dhe liderë rajonal.
 
Në sesione të ndara do të diskutohet edhe „Projekti evropian i paqes në Ballkanin Perëndimor“ si dhe dilema “Çfarë pas luftës në Ukrainë?” 
 
“Ballkani Perëndimor është në mënyrë të pashmangshme pjesë e kësaj arkitekture të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në aspektin e arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Kjo është aktualisht tema më e rëndësishme për ne, por edhe një çështje sigurie që është në krye të agjendës së partnerëve tanë në pjesën tjetër të Evropës.”,- tha Osmani në brifingun për gazetarë ku prezantoi edicionin e dytë të Forumit të Prespës për Dialog.
 
Sa i përket mundësisë për fillimin e negociatave brenda qershorit, Osmani konsideron se skena politike në Bullgari nuk është në favor të çështjes, ndërkaq nuk deshi të komentojë zërat për propozimin francez për heqjen e vetos bullgare.     
 
“Nuk duket shumë premtuese skena politike në Bullgari. Por, ne nuk jemi palë në atë situatë të brendshme. Ne ndjekim rrugën të cilën e trason presidenca franceze. Nëse presidenca franceze vlerëson se edhe përskaj kësaj situate të brendëshme politike, kësaj dinamike të brendshme në Sofje ata duhet të vazhdojnë me hapa tjerë për të kapur këtë dritare të qershorit ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e atij procesi, pasi që të kemi një qëndrim i cili është i unifikuar paraprakisht me vendet anëtare.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Në kuadër të Forumit të Prespës, edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kërkoi nga kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, përshpejtimin e integrimin të Ballkanit Perëndimor në BE, për shkak të sfidave gjeopolitike që solli agresioni rus në Ukrainë.
 
“Maqedonia e Veriut tërësisht i plotësoi kushtet për fillimin e bisedimeve dhe në bazë të së cilës është miratuar edhe rekomandimi për fillim pa kushte të hapjes së kapitujve në mars të vitit 2020.”, – ka thënë Kovaçevski. 
 
Forumi i Prespës për Dialog është platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ka për qëllim frymëzimin dhe promovimin e marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit. 
 
SHPËTIM NUREDINI