Maqedoni

Shkollat publikojnë ranglistat e nxënësve, vende të lira edhe për afatin e dytë

16.06.2022 17:19

Shkollat e mesme në vend publikuan ranglistat me nxënësit që janë pranuar në vitin e parë...

Shkollat e mesme në vend publikuan ranglistat me nxënësit që janë pranuar në vitin e parë, ndërsa dokumentacionin e nevojshëm nxënësit e dorëzuan në shkollat e përzgjedhura. TVM2 qëndroi në Shkollën Profesionale “Cveta Dimov” dhe Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, ku mësuam se disa nxënës kanë kërkuar ndihmë për t’u regjistruar online, ndërsa drejtimet e mjekësisë dhe gjimnazit vazhdon të jetë preferencë e nxënësve. 

“E kam përzgjedhur mjekësinë, sepse është drejtim më i mirë dhe të ofron mundësi më të mira për të ardhmen, edhe me shkollë të mesme mund të punësohesh.”,- u shpreh një nxënës. 
 
“Jam pranuar, e kam zgjedhur drejtimin, sepse dua t’u ndihmoj njerëzve dhe është një drejtim human teknik farmaceutik.”,- tha një nxënëse.  
 
“Gjenerata që ndërrojnë kërkohet punë sidomos në informatikë, dizajn e këto gjëra.”,- tha një nxënës.  
 
Drejtoritë e të dyja shkollave mirëpritën nxënësit duke potencuar se në afatin e dytë ka ende vende të lira. 
                                                            
“Kemi vende të lira - 34 në drejtimin mjekësi, për infermiere janë 22 vende të lira dhe teknik dhëmbësh 12 vende, ndërsa te paralelet ekonomike, juridike dhe tregtare minimumi i pikëve 60 dhe kemi 92 vende të lira.”,- deklaroi drejtori në Sh. M. “Cvetan Dimov”, Visar Durak.             
                                                               
“Në Gjimnazin “Zef Lush Marku” kanë konkurruar afër 368 nxënës, prej të cilëve 275 i kanë plotësuar kushtet dhe janë pranuar në afatin e parë, sot dhe nesër i pranojmë dokumentet me prani fizike. Ka interesim të madh këtë vit në drejtimin matematikor me 60 nxënës dhe 30 dhe nxënësit tjerë janë në drejtimet shoqërore natyrore.”,- tha drejtori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
  
Paraqitja e dytë për regjistrim në shkolla të mesme do të jetë më 21 qershor dhe e treta më 28 qershor. 
 
FLUTURA LATIFI TOPOJANI