Maqedoni

Marzhat u ngrinë, qytetarët: Në dyqane nuk ka ulje çmimesh

16.06.2022 17:37

Edhe pse pritej ulje e ndjeshme e çmimeve të produkteve, nëpër markete kjo nuk po vërehet...

Ulja e marzhave nuk ndikoi fare në uljen e produkteve bazë, thonë qytetarët, sipas të cilëve çmimi është i njëjtë me atë të ditëve të kaluara. Vetëm në pak produkte ka një ulje prej një apo dy denarësh, por disa produkte janë rritur, ankohen të anketuarit.
 
“Janë shtrenjtuar, i pashë, më shtrenjtë. Unë jam me një pension.”,- tha një qytetar. 
 
“Asgjë nuk është ulur, janë rritur madje disa produkte.”,- theksoi një qytetare. 
 
“Nuk blemë shumë gjëra, po pamë disa produkte me ulje. Jogurti është pak më lirë.”,- potencoi një qytetar. 
 
“Nuk e vërejta, mielli ishte 160 denarë.”,- u shpreh një qytetare.  
 
Vendimi për uljen e marzhës për produkte të caktuara me qëllim të parandalimit të rritjes së çmimeve, ka dhënë menjëherë rezultate, thonë nga Qeveria. Sipas tyre, çmimet e produkteve bazë janë ulur nga 5-10%. Ulja më e madhe pritet të jetë në vajin për gatim, deri në 10 %, më pas edhe makaronat e produktet e tjera bazë ushqimore, të përfshira në vendimin qeveritar.
 
Nga ekzekutivi thonë se po e ndjekim me kujdes situatën, e aty ku  vërehet rritje e çmimeve, intervenohet menjëherë që të mbrohen qytetarët. Sipas tyre, vazhdojnë edhe kontrollet e tregtarëve e shumicë, që të mos ketë rritje drastike të marzhave e ata që e bëjnë, të sanksionohen menjëherë.
 
Vendimi për ngrirjen e marzhave do të zgjasë deri në shtator e lista e produkteve të përfshira mund të zgjerohet. Nëse kushtet e mundësojnë, qeveria thotë se nuk e përjashton mundësinë për vazhdimin e kësaj mase deri në fund të vitit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI