Maqedoni

Shkup, homazh për Omer Kaleshin

16.06.2022 18:31

Për nderë të piktorit me renome botërore, Omer Kaleshi,, në Çifte Hamam në Çarshinë e Shkupit...

Për nderë të piktorit me renome botërore, Omer Kaleshi,, në Çifte Hamam në Çarshinë e Shkupit u mbajt homazh në organizim të Galerisë Nacionale, në bashkëpunim me Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe anëtarët e familjes së piktorit.
 
Ekspozita përmban rreth 30 vepra të Omer Kaleshit dhe e njëjta do të jetë e hapur deri në fund të muajit qershor. Në këtë homazh të pranishmit ngritën lart figurën e piktorit të Kaleshi.  
 
“Omer Kaleshi, tashmë i ndjerë, ka pikturuar dhe ekspozuar në galeritë e rëndësishme të botës, por në kohën e fundit të jetës së tij ai vendosi t’i dërgojë pikturat e tij t’ua japë shqiptarëve në Shqipëri –Tiranë, Shkup, në Bursë - ku ka gjithandej shqiptarë.”,- tha rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri.
 
“Omer kaleshi për fat të mirë të tij edhe për ne, tërë jetën ia kushtoi artit dhe ne mund të shohim sot një fragment nga krijimtaria e tij, ishte antropolog shpirtëror, njeriu me kokat e tij të pikturuara jepte një dimension tjetër, dimension shpirtëror jo vetëm në aspektin artistik – estetik, por kishte edhe një koncept tjetër mbi njeriun, për njeriun.”,- u shpreh piktori, Reshat Ameti.
 
Drejtoresha e Galerisë Nacionale, Dita Starova, lexoi edhe një fragment të shkëputur nga libri “Bisedë me Omer Kaleshin” nga shkrimtari i njohur, Luan Starova. 
 
Omer Kaleshi lindi në Maqedoni, emigroi në Turqi, ku u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura, rrëmbeu bukurinë e qytetërimit ballkanik dhe gjithë ndërthurjen kulturore përballë psikologjisë së imponuar të ndarjes dhe përçarjes. Nëpërmjet punës së tij, ai bashkoi tre shtete ballkanike, që në fakt janë atdheu i tij, Maqedonia, Shqipëria dhe Turqia.
 
Në biografinë e tij të pasur pati disa ekspozita vetjake në Stamboll, Beograd, Shkup, Manastir, Hagë, Prishtinë, Paris, Flavin, Ankara e Kanë. Veprën e tij e vlerësuan veçanërisht Zhak Lacarier, Jordan Plevnesh, akademik Luan Starova, Ismail Kadare e të tjerë.
 
Në vitin 2018 u zgjodh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe po atë vit fitoi çmimin shtetëror “Nënë Tereza”. Qendra e Kulturës “Koço Racin” nga Kërçova planifikon të hapë galeri-muze me vepra të Omer Kaleshit.
 
ARDITA IMERI