Maqedoni
Katër vjet nga marrëveshja e Prespës: RMV anëtare e NATOS, ende pret antarësim në BE
17.06.2022 15:39
Më 17 qershor 2018, u nënshkrua Marrëveshja së Prespës, që i hapi rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjes...

Më 17 qershor 2018, u nënshkrua Marrëveshja së Prespës, që i hapi rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjes dhjetëvjeçare me Greqinë. Kjo marrëveshje zhbllokoi proceset integruese të vendit, Greqia ishte e para që ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe më 30 mars, vendi ynë u bë anëtari i 30-të i Aleancës.
Katër vjet më vonë, Maqedonia e Veriut ende nuk ka arritur të nisë bisedimet me BE-në për shkak të vetos së fqinjit tjetër , Bullgarisë.
Katër vjet nga marrëveshja e Prespës, Varhejly: Pres që Bullgaria të bëjë të njejtën gjë
Eurokomisioneri Varhejli pret që edhe Bullgaria të shtojë përpjekjet për të bërë të njëjtën gjë si Greqia.
“Teksa festojmë përvjetorin e katërt të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, është e rëndësishme të theksohet se përderisa Greqia dhe Maqedonia e Veriut, arritën ta kapërcejnë mosmarrëveshjen e tyre dhe ta zgjidhin atë me marrëveshje reciproke, ne presim që Bullgaria të shtojë përpjekjet e saj dhe të bëjë të njejtën”, u shpreh komisioneri i BE-së për politikën e zgjerimit dhe fqinjësisë Oliver Varhejly.
Radev: Petkov të heqë dyshimet për shmangje nga veto
Por në Bullgari situata është e nxehtë . Kryeministri Petkov vazhdon të mbledhë shumicën parlamentare për të kaluar në kuvend të propozimit francez për heqjen e vetos ndaj RMV-së. Presidenti Radev i kërkon kryeministrit të hedhë poshtë të gjitha dyshimet se mund të tërhiqet nga vetoja.
“Asambleja Kombëtare dhe bullgarët duhet ta dinë paraprakisht dhe qartë se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri. Çdo mashtrim apo përpjekje për ta zëvendësuar atë , do të ketë pasoja të rënda. Qeveria mban përgjegjësi të plotë derisa Kuvendi Kombëtar të vendosë ndryshe", theksoi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kovaçevski: Flasim për garanci, jo për gjuhë e identitet
Shkupi është në pritje të lajmeve nga Sofja dhe vendet anëtare të BE-së për propozimin e fundit francez. Kryeministri Kovaçevski thotë se aktualisht nuk është pranuar asnjë propozim për të cilin kanë rënë dakord të gjitha vendet anëtare të Unionit, përfshirë edhe Bullgarinë.
Është i prerë në ripërsëritjen e vijave të kuqe të RMV-së, zgjidhje gjithpërfshirëse dhe garanci se nuk do të ketë më kërkesa të reja.
“Pozicionet tona janë shumë të qarta, për gjuhën dhe identitetin maqedonas, nuk bisedohet dhe Korniza Negociuese është dokument multilateral që duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe do të mundësojë mbylljen e të gjitha cështjeve të hapura në procesin e qasjes me BE-në”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kovacevski thotë gjithashtu se gjetja e zgjidhjes më së paku varet nga RMV e se vendi nuk duhet të lidhet me data për mos hapjen e negociatave.
SHPËTIM NUREDINI
