Botë
Kurti në takim me veteranët e UÇK-së, nuk u arrit marrveshje për pensionet
17.06.2022 15:56
Kryeministri Albin Kurti dhe minsitri i finacave Hekuran Murati...

Kryeministri Albin Kurti dhe minsitri i finacave Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, por gjatë takimit dy orësh nuk u arrit pajtueshmëri për çështjen e pensioneve të veteranëve.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se qeveria propozon që fillimisht të pastrohen listat nga të ashtuquajturit veteranët e rremë, e më pas të rregullohet çështja e pensioneve. Ndërsa veteranët insistojnë që pensioni i tyre të lidhet me pagën minimale.
“Me kryeministrin nuk u dakorduam sepse kërkuam që të kthehet pika 3.1 të cilën e ka ndryshuar Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës dhe me at pikpë e kanë largu benificionin e veteranit të luftës që është me ligj se nuk mund të jetë më pak se paga minimale . Ne i thamë që kërkojmë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që do mbahen ne do te vazhdojmë protestat tona”, u shpreh ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në takim u ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.
“U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kryemisnitri Kurti u ka thënë në takim veteranëve se do t’iu ofrojë disa propozime me shkrim, ndërsa përfaqësuesit e shoqatave të veteranëve thonë se do të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e çështjes së pensioneve të kësaj kategorie.
NAIM SINANI
