Maqedoni
Hapja e negociatave me RMV e Shqipërinë, Varhelyi: Shpresojmë të jetë çështje ditësh
17.06.2022 17:04
Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi është shprehur optimist...

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi është shprehur optimist për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai theksoi se nuk duhet të pritet më për arsyet e brendshme politike të Bullgarisë, e cila ka krijuar një ngërç prej kohësh në këtë proces.
“Ne shpresojmë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullgari. Dhe shpresoj shumë, që ne po flasim për çështje ditësh, sesa çështje muajsh, apo vitesh”, u shpreh komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi
Propozimi francez, Osmani: Të dëgjojmë propozimet e vendeve anëtare
Ministri i jashtëm Bujar Osmani nuk dëshiron të komentojë propozimin francez për zgjidhjen e kontestit, para se vendimi të koordinohet mes 27 vendeve të BE-së.
“Së pari presidenca franceze të japë propozime të cilat ua shpërndan të gjitha shteteve anëtare, çdo shtet anëtar mund të japë vërejtje përfshirë edhe Bulgarinë. Atmosfera në Bullgari jemi të gjithë dëshmitarë se çfarë është, kështu që nuk do të komentoja propozimet e ndryshme sepse mendoj se është e rëndësishme që fillimisht të dëgjohen propozimet e të gjitha vendeve anëtare dhe më pas do të shprehim pikëpamjet tona”, theksoi ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Samiti i BE të kryesuar nga Franca do të mbahet më 23 qershor ku përfundimisht do të dihet nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ecin më tej drejt integrimit evropian.
NAIM RAMADANI
