Maqedoni

Filloi sezoni turistik në Strugë dhe Ohër, hotelierët: Presim sezon të suksesshëm

18.06.2022 15:08

Sezoni veror në Strugë dhe Ohër tashmë ka filluar me arritjen e turistëve të huaj që në javën e parë të qershorit...

Sezoni veror në Strugë dhe Ohër tashmë ka filluar me arritjen e turistëve të huaj që në javën e parë të qershorit. Hotelierët thonë në krahasim me dy vitet e kaluara, këtë vit ka më shumë rezervime, ndërsa presin që ky sezon veror të zgjasë më shumë dhe të mbulojë humbjet që kanë pësuar sezonet e kaluara. Megjithatë hotelierët të cilët organizojnë dasma dhe ahengje të tjera janë të shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të çmimeve. 
 
“Këtë vit ka rezervime, nuk është si vitet e kaluara, ndoshta nuk është si 2019 para se të krijohet pandemia, pra nuk është ideale por rezervime ka, problemi më i madh do jetë me çmimet, rritja e energjisë, e çmimeve të produkteve do të jetë e vështirë. Sa i përket dasmave, ata veçse avancohen 4 5 muaj përpara, me çmime të caktuara, ne çmimet nuk i ndryshojm, se a do jetë në dëmin tonë, klientit nuk i intereson.”, tha Erhan Papraniku, hotelier .
 
Nga shoqata e hotelierëve thonë se ky sezon turistik ka filluar më mirë duke qenë se qershori ka më shumë rezervime seç pritej, duke i kthyer në vitet para pandemisë. 
 
“Shikojmë që këto javët e fundit ka lëvizje të mëdha në Ohër dhe Strugë, kjo nga turistët që vijnë nga Holanda, Polonia, Turqia, por gjithashtu edhe mërgimtarët tonë të cilët tashmë kanë filluar të vijnë ndërsa për dy javë mesiguri do të kemi më shumë. Shpresojmë që në korrik dhe gusht të gjithë hotelet të jenë mbushur 100% siç kanë qenë vitet më herët, muaji qershor është pak më i mirë seç pritej, ka më shumë mysafirë, kështu që pritet që qershori, korriku dhe gushti të jenë shumë mirë.”, u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.  
 
Shumë hotele në Strugë dhe Ohër tashmë janë të prenotuara për muajt korrik dhe gusht, ndërsa ende nuk dihet nëse ky sezon do të zgjatet edhe deri në shtator. Nga shoqata e hotelierëve thonë se do të mundohen që çmimet e fjetjeve të jenë të njëjtat, por me rritjem e çmimeve të produkteve do të duhet të bëhen ndryshime në çmimet e ushqimeve. 
 
ILMIE ZHAKU