Maqedoni

VMRO në protestë para Qeverisë, Nikollovski: Presion për zgjedhje të parakohshme

18.06.2022 15:30

Koalicioni opozitar i kryesuar nga VMRO-DPMNE sonte do të mbajë protestë përpara Qeverisë...

Koalicioni opozitar i kryesuar nga VMRO-DPMNE sonte do të mbajë protestë përpara Qeverisë për të kërkura mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Protesta është e paralajmëruar për në ora 20:00, ndërkaq një orë e gjysëm më parë do të fillojë studio e hapur, po para Qeverisë, në të cilën do të parqiten 13 folës, zyrtarë të lartë partiak dhe deputetë të opozitës së kryesuar nga VMRO. 
 
Nënkryetari i VMRO DPMNE-së Aleksandar Nikollovski, në një intervistë për Evropën e Lirë, thotë se koha për të bindur partitë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohëshme parlamentare ka përfunduar, dhe se protesta paraqet fillimin e presionit ndaj pushtetit për zgjedhje.
 
“Patëm disa muaj kur përpiqeshim që përmes ndialogut politik ta bindim pushtetin që të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme parlamentare, tani jemi në situatë që duhet t’i bëjmë presion pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së që të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme parlamentare prandaj, e bëjmë blokimin aktiv të Kuvendit dhe ftojmë në protestë mbarëpopullore. Pres që në këtë protestë mbarëpopullore të marrin pjesë dhjetra mijëra qytetarë ku do të përcilet mesazh i qartë për pushtetin se në Maqedoni duhet të ndodhin ndryshime.”, tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
 
Për shkak të protestës, qarkullimi në Shkup do të ketë regjim të veçantë në afërsi të Qeverisë, përkatësisht rrugët do të jenë të mbyllura prej udhëkryqit të bulevardit “Goce Dellçev” me bulevardin “Ilinden” deri te udhëkryqi i bulevardit “Ilinden” me bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit”. 
 
Vendimin për protestë e miratoi Komiteti Ekzekutiv i VMRO-së, më 17 maj, për shkak të siç u tha menaxhimit të keq me krizën ekonomike dhe financiare, rritjen e borxhit publik, por edhe udhëheqjen e diplomacisë. 
 
Për t’iu përgjigjë protestës dhe kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohëshme, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka paralajmëruar takim me partnerët e koalicionit qeverisës për ditën e dielë, ku pritet të riafirmohet qëndrimi për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në vitin 2024, bashkë me zgjedhjet presidenciale.
 
SHPËTIM NUREDINI