Maqedoni

Eurointegrimi, Ibrahimi: Kriza bullgare do të shtyjë marrjen e datës

18.06.2022 16:48

Gjasat që vendi të marrë datën për çeljen e bisedimeve në samitin e qershorit mbeten minimale....

Gjasat që vendi të marrë datën për çeljen e bisedimeve në samitin e qershorit mbeten minimale. Shpresat e Maqedonisë së Veriut mbeten te propozimi francez dhe qëndrimi që pritet të marr parlamenti bullgar. Tronditjet në qeverinë bullgare mund të shtyejnë procesin, vlerëson analisti politik Selim Ibrahimi. Sipas tij vendimi negativ s’do ndikohet vetëm nga kriza politike në shtetin fqinj por edhe nga moszgjidhja e çështjeve historike të komisionit të perbashkët maqedono-bullgar.
 
“Përplasjet qeveri - presidencë janë të theksuara në Bullgari dhe kjo sigurisht që do të ndikojë në Samitin e qershorit I cili në fakt ka një rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut. Duhet theksuar që çështjet të cilat kanë ngelur të pazgjidhura nuk janë vetëm si pasojë e krizës në Bullgari, por janë edhe çështje të cilat kanë ngelur të pazgjidhura nga komisioni I përbashkët I formuar në fund të gushtit të 2017-të.”, tha për TVM2 analisti politik Selim Ibrahimi.
 
Në pako me Maqedoninë e Veriut mund ta pësojë edhe Shqipëria vlerëson Ibrahimi. Sipas tij nevojitet që çështjet e hapura të mbyllen që të ecet përpara.
 
“Çfarë ndodh në Bullgari apo në Serbi, qoftë në Maqedoni dhe Shqipëri, këto janë çështje të ndërlidhura të Ballkanit Perëndimor dhe këtu do të kemi kujdes në trajtimin e çështjeve të cilat kanë ngelur të hapura dhe mbylljen e të gjitha kontesteve historike. Megjithatë nëse tani I drejtojmë akuzat drejt një shteti sigurisht nuk do të kemi përfitime qoftë të shpejta pra të zgjidhjes së kontestit.”, u shpreh Ibrahimi.
 
Edhe pse 23 qershori data e mbajtjes së samitit për zgjerimin e Ballkanin Perëndimor është pranë, Shkupi zyrtar mbetet i angazhuar për arritjen e zgjidhjes me Bullgarinë. Kryeministri shqiptar Edi Rama ndërkohë, nuk përjashton mundësinë që pas qershorit të kërkojë edhe shkëputjen nga Maqedonia e Veriut.
 
MERALE ISMAILI