Maqedoni

VMRO-DPMNE: Populli dha sinjalin për zgjedhje

19.06.2022 14:57

VMRO-DPMNE konsideron se në protestën e së shtunës ka patur mbi 70 mijë protestues...

VMRO-DPMNE konsideron se në protestën e së shtunës ka patur mbi 70  mijë protestues, që sipas tyre nënkupton sinjal të qartë për nevojën për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Konsiderojnë se pjesëmarrja masive dëshmon mllefin qytetar për politikat e gabuara të qeverisë dhe varfërinë në masë. Nëse, pas protestës, nuk arrihet marrëveshje për zgjedhje të parakohëshme, VMRO paralajmëroi bllokim të përgjithshëm të institucioneve dhe “verën e protestave”. 
 
“Qeveria është delegjitimuar nga populli. LSDM dhe BDI s’kanë legjitimitet të vazhdojnë të udhëheqin shtetin. Kurrë më parë s’ka dalë aq popull në rrugë që një zëri të kërkojë zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe jetë më të mirë. Nëse s’ka marrëveshje për zgjedhje këtë verë, bllokimi aktiv do të kalojë në bllokim të plotë. Kjo nënkupton bllokim të plotë të Kuvendit, institucioneve dhe rrugëve; protesta nëpër qytete.”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Protesta e VMRO-së, dështim i shtrenjtë
  
LSDM thotë se protesta e opozitës ka qenë një dështim i shtrenjtë dhe se në të kanë marrë pjesë rreth 15 mijë qytetarë. Pyesin VMRO-në ku i gjeti paratë për një protestë të shtrenjtë në periudhë kur ka xhiro llogarinë e bllokuar dhe pronën e ngrirë para konfiskimit.  
 
“300 mijë euro, në kohë krize, për tubim të dështuar. Protestë e dobët për të kënaqur egon e Hristijan Mickovskit. Në tubim kishte rreth 15 mijë anëtarë dhe simpatizues të VMRO-DPMNE-së. Partia sigurisht ka pritur më shumë dhe ka angazhuar transport dhe nevoja shtesë për rreth 20 mijë anëtarë. Transporti për mbi 20 mijë persona kushton rreth 200 mijë euro.”, tha Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
 
VMRO nuk sqaroi origjinën e parave për protestë por, tha se protesta ka kushtuar më pak se vjedhja që kryen pushteti brenda një dite. Presin që partnerët e koalicionit qeverisës të bien dakord për zgjedhje të parakohëshme parlamentare.
 
SHPËTIM NUREDINI