Botë

Holandë, Qeveria u kërkon falje veteranëve të Srebrenicës

19.06.2022 18:29

Qeveria holandeze u ka kërkuar falje qindra ish-ushtarëve të dërguar për të mbrojtur Srebrenicën gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.....

Qeveria holandeze u ka kërkuar falje qindra ish-ushtarëve të dërguar për të mbrojtur Srebrenicën gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
 
Kryeministri Mark Rutte u shpreh se trupat holandeze nuk ishin pajisur si duhet për të ndaluar masakrën dhe iu kërkua të kryenin një detyrë të pamundur. Duke folur me veteranët në një bazë ushtarake në Holandën qendrore, Rutte pranoi se trupat e forcës paqeruajtëse Dutchbat III nuk ishin të pajisur si duhet dhe nuk morën mbështetjen ushtarake të nevojshme.
 
“Sot iu kërkoj falje në emër të qeverisë holandeze të gjitha grave dhe burrave të Dutchbat III. Të gjithë ju këtu dhe atyre që nuk janë me ne sot. Me vlerësimin dhe respektin më të madh të mundshëm për mënyrën në të cilën Dutchbat III u përpoq të bënte gjënë e duhur, në rrethana shumë të vështira.”, u shpreh Rutte.
 
Përveç kërkimit të faljes, ushtarëve holandezë të Srebrenicës iu dha edhe Medalja e Bronztë e Nderit nga Ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren. Në korrik 1995, rreth 8,000 burra myslimanë u masakruan pasi forcat holandeze u rrethuan nga trupat serbe të Bosnjës. Më herët, qeveritë holandeze kanë këmbëngulur se faji ishte i OKB-së pasi dështoi në ofrimin e mbështetjes ajrore.