Botë

Zgjedhjet parlamentare në Francë, Macron fiton, por rrezikon të humbasë shumicën

20.06.2022 10:51

Më pak se dy muaj pasi u rizgjodh president, Emanuel Macron humbi kontrollin e Asamblesë Kombëtare...

Më pak se dy muaj pasi u rizgjodh president, Emanuel Macron humbi kontrollin e Asamblesë Kombëtare, pas një performance të fortë të aleancës së majte dhe se djathtës ekstreme. 

Në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve parlamentare, koalicioni i qendrës, Ensamble, fitoi 245 nga 577 vendet e asamblesë, teksa për shumicën absolute ishin të nevojshme 289 mandate. Aleanca e majte NUPES,  siguroi 131 vende ndërsa Tubimi Kombëtar i Marin Le Pen, shkroi historinë me 89 mandate nga 8 që kishte në legjislativin e fundit.  
 
Kryeministrja e sapoemëruar, Elizabet Borne tha se situata ishte e paprecedentë dhe se Franca moderne nuk kishte pasur kurrë një asamble të tillë.  
 
“Do të punojmë që nesër për ndërtimin e një shumice funksionale”, deklaroi kryeministrja.  
 
Por asnjë nga dy grupet më të mëdha parlamentare nuk duket i interesuar për bashkëpunim. Nëse konfirmohet, ky do të jetë parlamenti më i fragmentarizuar që do t’i hapte rrugën një periudhe pasigurie politike dhe ndarje të pushtetit mes partive që nuk kanë bashkëpunuar kurrë me njëra tjetrën. Nëse nuk do të gjendet një kompromis, francezët do t’i drejtohen edhe një herë qendrave të votimit.