Botë
Bruksel, arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi për energjinë
21.06.2022 11:46
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrveshje rreth udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë....

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrveshje rreth udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut mbi normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve. Mirolsav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, e ka konfirmuar lajmin duke e cilësuar këtë si “hap të madh përpara”.
“Me kënaqësi njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara.”, ka shkruar Lajcak në Twitter.
Edhe Besnik Bislimi, kryenegociatori Kosovar në dialog ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes duke nënvizuar se ujdia e arritur “mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”.
“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e Implementimit për Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës.”, shkruan Bislimi në Twitter.
Kjo është marrëveshja e parë e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Miroslav Lajçak. Ky Udhërrëfyes përmban 9 pika përfshi licencimin e kompanisë serbe Elektrosever nga ZRRE-ja. Pas licencimit, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSIT dhe KEDS për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSIT, Marrëveshjen mbi Detyrimin e Bilancit me KOSIT, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes, faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj, në katër komunat veriore me shumicë serbe, të ciët deri tani nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike të shpenzuar.
Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës në shtator të vitit 2013. Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.
GYLTENE SINANI
