Botë

Ekskluzive me presidenten Osmani: S’ ka pajtim me Serbinë pa drejtësi për viktimat

21.06.2022 17:05

Pa vendosjen përpara drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për civilët e vrarë dhe të dhunuar të Kosovës...

Pa vendosjen përpara drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për civilët e vrarë dhe të dhunuar të Kosovës nuk do të ketë pajtim me Serbinë.Këtë e tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për TVM2 gjatë mbajtjes së Forumit të Prespës për dialog.
 
“Historia e ka dëshmuar se, qoftë në kontinentin evropian e qoftë diku tjetër, duhet të ketë drejtësi për viktimat civile, duhet të vendosen kriminelët prapa grilave. Fatkeqësisht, bllokuese e këtij procesi në rajon është Serbia. Ky është shteti i vetëm që nuk është i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën, nuk është i gatshëm të distancohet nga krimet e regjimit të Millosheviqit dhe të vendosë autorët e këtyre krimeve prapa grilave.”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
 
Osmani ka vlerësuar se nuk mund të vendoset në një thes një shtet si Kosova, i cili sipas saj shkëlqen me reformat e veta jo vetëm në nivel të  Ballkanit Perëndimor por edhe më tej, me një shtet si Serbia. Osmani e cilëson Serbinë si përfaqësues i rrjeteve kriminale dhe korruptive, ku as nuk ka sundim të ligjit, as liri të mediave, as shoqëri civile, dhe ku shkelen të drejtat bazë të njeriut, sidomos të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, ndaj të cilëve, sipas saj, Serbia po kryen spastrim etnik me metoda administrative. Presidenta Osmani thekson se pa drejtësi për viktimat mbi të cilat u krye gjenocid, nuk do të ketë pajtim. 
 
“Kosova ecë përpara duke shtrirë dorën e pajtimit, duke kontribuar në paqe, duke bashkëpunuar, asnjëherë duke  atakuar fqinjët e saj, por gjithnjë duke e mbrojtur vetveten, siç e kemi bërë gjatë historisë. Serbia e bën të kundërtën, çdo ditë tenton ta destabilizojë Kosovën, ta shkelë integritetin tonë territorial, të financojë e të mbështesë kriminelë që janë në listën e zezë të SHBA. Pra, këtu dallimi është eklatant, është i qartë. Prandaj Kosova duhet të trajtohet ndryshe, Serbia të trajtohet ndryshe. Jo të thuhet leni gjërat prapa sepse gjenocidi nuk lihet prapa, por duhet të trajtohet.”, tha Osmani.
 
Intervista është realizuar në kuadër të projektit “Balkanview”, një bashkëpunim ky midis Institutit BIRC dhe TVM2. 
 
SANIJE DURAKU