Maqedoni
Integrimi, Selmani: Ende duhen plotësuar kriteret e BE-së
22.06.2022 12:43
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë përfshirë nga ethet e pritjes së epilogut nga Samiti i BE-së...

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë përfshirë nga ethet e pritjes së epilogut nga Samiti i BE-së. Por, teksa fajin për mos-integrimin i vihet vetos bullgare, profesori universitar, Bashkim Selmani, tha në “Argument” në TVM 2, se dy shtetet kanë ende punë për të plotësuar kriteret e BE-së.
“Shqipëria dhe RMV, sado që në opinion flitet se i kanë plotësuar të gjitha kushtet, po ju garantoj se krimi i organizuar, korrupsioni dhe pasiguria janë shumë të larta në këto dy shtete dhe pjesa bazë ka të bëjë me këto dy kapituj 23 dhe 24 që nuk i kanë plotësuar.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Iseni: RMV më shumë përparim se Bullgaria në 2013-n
Për profesorin, Fati Iseni, vendi ka shënuar shumë progres në përmbushjen e kritereve që nga viti 2001, madje më të madh se vetë Bullgaria kur u pranua në Union.
“Nuk përjashtohet ajo se punët kanë lëvizur ngadalë përfshirë edhe kapituj përkatës që i përmendët çështja e korrupsionit e kështu me radhë, por megjithatë vendi ka shënuar mjaftë përparim dhe nëse bëhet një komparacion mes RMV-së sot dhe Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2013 dhe 2007, dallimi është esencial.”,- theksoi profesori universitar, Fati Iseni.
Kontesti Shkup-Sofje, Nura: Shqipëria s’ka pse të paguajë faturën e problemit
Shqipëria kërkon të mos jetë në një paketë me RMV-në por të vlerësohet veçmas, e gazetari Artur Nura, pohon se Tirana nuk dëshiron ta paguajë faturën e problemit mes Shkupit e Sofjes.
“Gjasat janë që edhe këtë radhë nuk do të kemi ftesë për Maqedoninë e Veriut dhe në këtë rrjedhim edhe për Shqipërinë, sepse ju e dini që të dyja vende janë në bllok, dhe rezulton që vazhdojnë të vijnë kushtet nga Sofja për Shkupin zyrtarë, dhe si rrjedhim do të ndëshkohet edhe Tirana. Kjo e fundit po kërkon të shkëputet nga Shkupi në lidhje me integrimin europian.”,- u shpreh gazetari nga Shqipëria, Artur Nura.
Në samitin e BE-së në Bruksel, pritet të konfirmohet rekomandimi i Komisionit Europian, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e BE pritet të rikonfirmojnë angazhimin e plotë ndaj perspektivës së anëtarësimit të rajonit në bllok dhe të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
FITIM KRYEZIU
