Maqedoni
Kontesti mes Shkupit dhe Sofjes, Hoti: Koha nuk e favorizon heqjen e vetos
22.06.2022 13:37
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që Bullgaria të bëjë lëvizjen e radhës e të heqë veton...

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që Bullgaria të bëjë lëvizjen e radhës e të heqë veton. Për Dritan Hotin - pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, gjasa për heqjen e vetos në këto momente nuk ka dhe kjo lidhet jo vetëm me krizën politike atje, por edhe mungesa e presionit nga vendet e Unionit, për ta bërë një gjë të tillë.
“Po prodhon një bllokim i cili mund të gjenerojë rreziqet e paparashikuara në vetë Maqedoninë e Veriut, por edhe në lidhje me rajonin. Këtu gjithashtu shoh një lloj zbehjeje dhe mungese të një lloj këmbënguljeje, insistimi nga vendet kryesore e historike të Bashkimit Europian. Ndoshta ata disponojnë mekanizma që të shtrëngojnë një shtet si Bullgaria që të fillojë të lëshojë. Në momentin aktual koha nuk e favorizon heqjen e vetos.”,- tha pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritan Hoti.
“Ballkani i Hapur”, Hoti: Nuk përbën premisën kryesore për paqtimin politik
Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, Hoti thotë se nisma është një koordinim ekonomiko-tregtar e doganor ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nuk përbën në asnjë mënyrë premisën kryesore për paqtimin politik ose gjeopolitik të rajonit.
“Open Balkan një derivë e drejtpërdrejtë e këtij paqtimi mund të jetë një bashkëpunim i pandërprerë dhe reciprok. Nuk e shoh si të mundshme që ky bashkëpunim ekonomik të gjenerojë paqtimin politik.”,- u shpreh pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritan Hoti.
Sidoqoftë, ai thotë se kjo nismë nuk është e dëmshme dhe nuk synon rimishërimet e ish-Jugosllavisë, siç interpretohet.
LULJETA NDOKA
