Maqedoni
Michel: Ukraina e Moldavia marrin statusin kandidat
23.06.2022 12:08
Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, para fillimit të Samitit të BE-së...

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, para fillimit të Samitit të BE-së, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është prioritet për BE-në.
“Kemi një takim të rëndësishëm me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ekziston një dëshirë për të sjellë energji të re në procesin tonë. Për momentin ne kemi një problem në Bullgari dhe po përpiqemi të hedhim propozime në tryezë që të mund të fillojmë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është prioriteti ynë kryesor tani dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të bërë përparim.”, tha Michel.
Michel, i shprehu besimin se Samiti i BE-së do të vendosë për statusin kandidat të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe një perspektivë të qartë evropiane për këto dy vende dhe Gjeorgjinë.
Borrell: Duhet të fillonim bisedimet me RMV e Shqipërinë
Ndërsa përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell para samitit BE-Ballkani Perëndimor, ka dekalruar se sot nuk është një ditë e mirë, sepse ne duhet të kishim filluar procesin e anëtarësimit me dy vende, por nuk mundemi, sepse një vend po bllokon të gjithë procesin e zgjerimit. Ai shprehu pakënaqësinë për mungesën e progresit në Bullgari lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke shtuar se kjo tregon se parimi i konsensusit nuk është një zgjidhje e mirë për vendimmarrjen në BE.
“Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi në Ballkan, sot duhet të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time: ka ende shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë parlamenti në Bullgari, por duket se nuk po shkon mirë. Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem, nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë.”, tha përfaqëues për pilitik të jashme i BE-së, Josep Borrell.
Scholz: Qytetarët e RMV dhe Shqipërisë po presin 20 vite
Kancelari gjerman, Olaf Scholz para samitit tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një mundësi reale për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Qytetarët në Ballkanin Perëndimor kanë pritur për 20 vite mundësinë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo të ndodhë.”, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
FITIM KRYEZIU
