Maqedoni

Heqja e veto-s, “bllokohet” Komisioni për Punë të Jashtme i Bullgarisë

23.06.2022 13:31

Propozimin francez ende peng I përplasjeve politike në Bullgari...

Propozimin francez ende peng i përplasjeve politike në Bullgari. Në mungesë të kuorumit të Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Bullgar, nuk u hap debati për propozimin. Kryeministri në dorëheqje i Bullgarisë, Kirill Petkov, i ftuar në samitin e Unionit, fajësoi kryetarin e partisë opozitare GERB, Bojko Borisov, për bllokimin e komisionit edhe pse paraprakisht mbështeti propozimin francez. 

Petkov: Do të mbaj fjalën, ia lë parlamentit të vendos
 
Me gjithë ngecjen, Petkov tha se pozicioni i Bullgarisë mbetet i njëjtë, duke shprehur vlerësimin pozitiv ndaj rezolutës, që sipas tij nuk mund të ketë një tjetër të tillë që do të mbronte interesat bullgare.
 
“Të gjithë duhet të dinë se kemi mbrojtur pozicionet. Këto gjëra duhet qartë të thuhen, populli bullgar t’i shoh dhe askush mos të hedh përgjegjësinë tek tjetri, pasi thoshin se kryeministri do të duhet vetë të marrë vendimin, e jo parlamenti. Ose jeni frikacak që të hidhni pataten e nxehtë diku tjetër, ose nuk jeni burrështetas? Nëse jeni burrështetas shkoni në komision, të flitet para popullit bullgar dhe të merret vendimi i duhur. Përderisa kuvendi bullgar nuk merr vendimin, pozicioni bullgar mbetet i njëjtë.”,- tha kryeministri në dorëheqje i Bullgarisë, Kiril Petkov.
 
Borisov: Propozimi të vihet në sallë plenare
 
Kryetari i GERB Bojko Borisov kërkoi nga partia në pushtet që sot ta vë direkt në seancë plenare propozimin francez për Maqedoninë e Veriut dhe ta votojnë duke anashkaluar komisionin për politikë të jashtme.
 
“Dje vendosëm që të japim dritë jeshile për çështjen e Maqedonisë së Veriut. Presim që kjo të vihet në seancë plenare pa lojëra, intriga dhe pa shtyrje. Ndërpritni kualifikimet. Jeni i guximshëm, atëherë veni propozimin në sallë. Do të fitoni duartrokitjet e mbarë Këshillit Europian.”,- theksoi kryetari i GERB, Bojko Borisov.
 
Edhe presidenti, Rumen Radev, i cili gjithashtu mbështeti propozimin francez, është shprehur se për të njëjtin do të duhet të vendosë qeveria dhe më pas ta konfirmojë kuvendi. Por kryeministri Petkov fajësoi edhe presidentin për indiferencën dhe për mospasje të guximit që të mbledh Këshillin për Siguri Kombëtare në ndërtimin e qëndrimit të përbashkët.
 
MERAL ISMAILI