Maqedoni
Pendarovski ndau mirënjohje për inxhinierët më të suksesshëm
23.06.2022 14:03
Në një ceremoni solemne, presidenti Stevo Pendarovski ndau mirënjohjen "Unazën Inxhinierike"...

Në një ceremoni solemne, presidenti Stevo Pendarovski ndau mirënjohjen "Unazën Inxhinierike" 12 studentëve më të suksesshëm, të cilët diplomuan nga fakultetet e disiplinave inxhinierike në vend. Presidenti Pendarovski pohoi se me dhënien e kësaj mirënjohjeje kontribuojmë në afirmimin e profesioneve inxhinierike dhe mund të krenohemi me rininë inxhinierike cilësore, e cila vlerësohet gjithnjë e më shumë si në vendin tonë ashtu edhe jashtë saj.
“Dua ta shprehi vullnetin tim që pjesa më e madhe prej jush do të fillojnë të avancohen dhe në aspektin profesional të realizohet qëllimi i tyre për profesionistë në vendin e tyre. Për këtë qëllim duhet t’i hapim institucionet tona shkencore dhe organet tjera shtetërore por para së gjithash odat ekonomike dhe kompanitë në të cilat inxhinierët e rinj të mund t’i realizojnë idetë e tyre të veprimit profesional dhe të rriten në karrierën e tyre.”,- tha presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm inxhinierët e rinj nga mekanika, arkitektura, informatika, teknologjia, elektroteknika, bujqësia e pylltaria. Ata i premtuan presidentit dhe institucioneve të vendit që do të kontribuojnë në masë të madhe për ekonominë e vendit.
“Mund t’u premtojmë se besimin që na keni dhënë do ta arsyetojmë, do të mbesim të disiplinuar dhe të përkushtuar në kriteret e larta për përcjellje të zhvillimeve më të larta botërore dhe inovacione. Po ashtu do të japim përgjigje sfidave të reja dhe bashkërisht do të kontribuojmë që t’i zhvillojmë sferat e inxhinierisë në vend.”,- theksoi studentja fituese e "Unazës Inxhinierike".
Presidenti Pendarovski po ashtu pohoi se siç ndodh në vendet e zhvilluara, edhe në vendin tonë, rëndësia e profesioneve inxhinierike do të jetë gjithnjë e më e përshtatshme dhe ato do të bëhen gjithnjë e më tërheqëse për të rinjtë. Të gjithë së bashku premtuan se tema e investimit te inxhinierët e rinj dhe të rinjtë në përgjithësi, të mos mbetet vetëm në nivelin e retorikës politike, por duhet të funksionojë në praktikë.
FITIM KRYEZIU
