Maqedoni
Sindikatat vazhdojnë grevën, 21 karrige u vendosën para Qeverisë
23.06.2022 15:26
Ashtu si një ditë më parë me 120 karrige para kuvendit, edhe sot me 21 karrige para qeverisë..

Ashtu si një ditë më parë me 120 karrige para kuvendit, edhe sot me 21 karrige para qeverisë, aq sa është numri i ministrave në ekzekutiv, sindikata vazhdoi grevën e përgjithshme të nisur në sektorin publik me kërkesën për rritjen lineare të pagave. U kërkuan funksionarëve të lënë zyrat e tyre me kondicionerë e të provojnë njëherë se si është të jesh punëtor i thjeshtë që punon pa kushte me një pagë që nuk i del të kalojë muajin.
“Punëtori erdhi për atë që i takon. Nuk kemi rrugë tjetër për të mbijetuar në këtë krizë ekonomike. Nuk kemi asnjë mënyrë për t’i bërë ballë inflacionit. Merrni gjërat me seriozitet që të mos e dërgoni shtetin në kolaps. Punëtori është forca lëvizëse e këtij vendi.”,- tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Të premten greva e tyre do të zhvendoset para Ministrisë së Financave, për t’i kërkuar drejtpërdrejt ministrit Besimi që të sigurojë para për paga më të larta në sektorin publik me rishikimin e buxhetit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
