Maqedoni
Përfundoi Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, asgjë e re për vendet kandidate
23.06.2022 16:04
Samiti i Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor nuk dha rezultate pozitive....

Samiti i Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor nuk dha rezultate pozitive. Brukseli sërish refuzoi vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të vetos bullgare kundër miratimit të Kornizës negocuese.
Kovaçevski: Bullgaria bllokoi sërish
Kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, i zhgënjyer nga fqinji lindor dhe Unioni tha se ky është vendim i gabuar me pasoja gjeopolitike që u krijon hapësirë palëve të treta.
“Bullgaria vendosi të kthehet në të shkuarën dhe sërish të vë bllokim, i cili nuk i shërben askujt, veç palëve të treta të cilët do të kenë terren të hapur për të plotësuar boshllëqet që do të hapen nga hapa të këtillë të pamenduar me rëndësi të posaçme nga aspekti gjeopolitik. Është koha që BE të plotësojë premtimet e saj para së të japë premtime të reja.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski:Propozimi është i papranueshëm
Kovaçevski refuzoi propozimin francez për zhbllokimin e procesit në formën që është propozuar. Megjithatë mbetet i gatshëm që të bashkëpunojë për plotësimin dhe përmirësimin e tij, në mbrojtje të interesave të palës maqedonase.
“Propozimi në këtë formë, siç është tani, është i papranueshëm për mua, për presidentin e shtetit, për Qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Nëse gjatë presidencës franceze arrihet mirëkuptim për pozitat tona, jemi të gatshëm që të përfshihemi në bisedime për to.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Rama: Do ta çmonin nëse Evropa unifikohet
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk fshehu zhgënjimin nga pala bullgare dhe vendet e BE-së.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të thellë për Bashkimin Evropian. Më vjen keq për ta dhe do kisha dashur t’i ndihmoja. U thashë se njëkohësisht ndjehem mirë dhe keq me ta. Ndjehem mirë si evropianë mes evropianësh, por ndjehem keq sepse ende jemi mysafirë në mes të evropianëve, në një shtëpi të ndarë. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të anëtarësimit, me shpresën se shekullin tjetër do të jemi anëtarë. Do ta çmonin shumë nëse ky komunitet i Evropës unifikohet në një shtëpi të vetme.”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas presidentit serb, Vuçiq, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria meritonin fillimin e negociatave dhe refuzimi i sërishëm është një zhgënjim. Sipas tij, fillimi i negociatave me këto dy shtete duhej të ndodh, sepse, sipas tij, vendet i kanë plotësuar të gjitha kërkesat që ua ka parashtruar Brukseli.
SHPËTIM NUREDINI
