Maqedoni

Haraçina ende pa energji elektrike, banorët paralajmërojnë padi ndaj EVN-së

23.06.2022 16:17

Banorët e Haraçinës vazhdojnë të jenë pa energji elektrike...

Banorët e Haraçinës vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Ata thonë se po penalizohen edhe ata që rregullisht paguajnë. Ankohen se u janë prishur aparaturat e ushqimet në frigoriferët që nuk punojnë dhe janë detyruar t’i hedhin. Mungesa e furnizimit me energji ka shkaktuar probleme zinxhir, pasi në mungesë të rrjetit të ujësjellësit këta banorë  furnizohen nga puset me ujë për pije, pasi që pompat nuk funksionojnë pa rrymë. E për ujë po vuan edhe bagëtia.
 
“Revolti ynë është ndaj EVN-së që ne që e paguajmë rrymën dhe për 3-4 ditë jemi pa rrymë, kjo nuk mundet të ndodhë në asnjë shtet dhe pa asnjë të drejtë. Le ta gjejnë ata një të drejtë për atë se na lënë pa rrymë. Do të na kap epidemia. A e dini se çka do të thotë në shekullin 21 pa rrymë, ne edhe ujësjellës nuk kemi. Mishi në frigoriferë e gjithë është prishur, kam numër të madh të shpezëve që i ruaj, do t’i shihni, për 1 javë i kam pa ujë, ja buret ku i kam për të mbushur ujin.”,- tha një banor.
 
“Ka shkaktuar problem, të gjitha janë prishur pa ujë, ne ujin e kemi me rrymë. Munden me ua ndal atyre që nuk paguajnë, kanë orëmatës. Me 12 mijë denarë pension e paguaj rrymën. Duhet të mblidhemi e t[i padisim.”,- tha një banor.
 
“Arsyeja e EVN-së është mospagesa. Ata shkojnë me koeficient paushall e bëjnë pagesën. Dikujt i vjen rryma 7000-8000 mijë denarë, dikujt 2000-3000 mijë. EVN këtu manipulon me qytetarët e Haraçinës.”,- theksoi një banor.
 
“Unë kam ardhur prej në fund të fshatit të mbushi ujë. Do të na hanë krimbat. Frigoriferët vlojnë prej krimbave. Për 3 muaj atje paguaj 120 frang për 6 anëtarë, ndërsa këtu paguaj edhe një herë më shumë se atje. Nuk është e drejtë, atje një punëtor i thjesht e ka pagën më të ulët 5 mijë frang, këtu 200 euro.”,- potencoi një banor.
 
Edhe kreu i komunës, Ridvan Ibrahimi, ripërsërit se EVN duhet  t’i qaset më seriozisht trajtimit të këtij problemi që nuk ndodh për herë të parë. 
 
“Nuk munden vazhdimisht të arsyetohen se po pengohen prej disa banorëve. Unë këtë kam kërkuar prej tyre, kam kërkuar edhe prej shërbimeve të organeve të rendit që të më tregojnë nëse ka raste të paraqitura se kush po i pengon ekipet e EVN-së. Mendoj se kjo qasje e tyre joserioze duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë e ne të na trajtojnë si qytetarë të barabartë të këtij vendi.”,- deklaroi kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.
 
EVN ankohet se i pamundësohet të punojë
 
EVN arsyetohet se nuk bëhet fjalë për ç’kyçje të banorëve, por për defekt të madh për shkak të lidhjeve ilegale që mbingarkojnë  trafostacionet. 
 
“Banorët u pamundësojnë ekipeve tonë  që  të sanojnë defektet. Në disa raste ekipet janë përballur me sulme verbale dhe fizike duke u pamundësuar kështu të punojnë. Derisa të mos krijohen kushte për punë, e për funksionimin normal, për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanimin e defekteve.”,- thonë nga EVN. 
 
Ibrahimi: Le të tregojnë se kush po i pengon
 
Por, Ibrahimi thotë se është e palejueshme që nëse dikush pengon kryerjen e punëve, të mos ndërmerret asnjë masë ndaj tij, por të penalizohen edhe banorët e tjerë. Sa i përket problemit të ujësjellësit, ai thotë se ka një përgjigje nga një komunë në Turqi e shpreson që ky problem të zgjidhet shumë shpejt.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI