Maqedoni
Propozimi francez, Sela: Se komentoj dot, s’ka dokument zyrtar
23.06.2022 16:44
Opozita nuk ka qenë e njoftuar me propozimin francez prandaj Kryetari i Aleancë për Shqiptarët, Ziadin Sela...

Opozita nuk ka qenë e njoftuar me propozimin francez, prandaj kryetari i Aleancë për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se nuk mund ta komentojë të njëjtin. Por, Sela në parim është pro asaj që bullgarët të përfshihen në kushtetutë.
“Unë jam deklaruar publikisht, po në Preambulë duhet të jenë bullgarët. Këtu nuk kemi asnjë dilemë. Në qoftë se vjen një propozim i tillë, unë thashë nuk mund të flas pa e ditur se çfarë ka propozimi. Aleanca për Shqiptarët është aty për të përkrahur.”,- deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Sela njëherit kërkon që pas mosmarrjes së datës për fillimin e bisedimeve, vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Trajanov: Jemi kundër propozimit francez
Ndërsa Lidhja Demokratike është kundër propozimit francez, pasi siç thotë kreu i kësaj partie, Pavle Trajanov, në propozim janë të përfshira në mënyrë delikate kërkesat nacionaliste të Bullgarisë.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, veçanërisht Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, të vënë veton në agjendën e Kornizës Negociuese, e cila përfshin kërkesat nacionaliste të Bullgarisë në lidhje me identitetin, gjuhën, çështjet historike dhe arsimore. BE duhet t'u përmbahet vlerave dhe parimeve themelore evropiane dhe kritereve të Kopenhagës.",- tha kryetari i bashkimit demokratik, Pavle Trajanov.
Trajanov: Mariçiq dhe Osmani të japin dorëheqje
Nga kjo parti njëherit kërkojnë dorëheqjen e shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Bojan Mariçiqit. Trajanov njëherit bëri të ditur se partia e tij do ta tërheq mbështetjen për qeverinë nëse ajo pranon që Korniza Negociatore të miratohej nga Këshilli i BE-së.
Edhe kryesia e \partisë për Ripërtëritje të Maqedonisë njëzëri deklaroi se propozimi francez është i papranueshëm dhe Qeveria duhet ta refuzojë atë. Kundër propozimit francez ka dalë edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE.
SANIJE DURAKU
